2011/11/21 - 12:00
Ministrja e Integrimeve Evropiane (IE), Vlora Çitaku, është shprehur e kënaqur me punën që është bërë në Komunën e Mitrovicës në lidhje me procesin e riatdhesimit. Këto vlerësime ajo i bëri gjatë një takimi që pati të hënën në Mitrovicë, me kryetarin e komunës, Avni Kastratin, mandej nënkryetarin Riza Hazirin si dhe drejtorin për Integrime Evropiane, Kastriot Jasharin. Ministrja Çitaku inkurajoi zyrtarët komunalë që të vazhdojnë me këtë nivel të angazhimit në mënyrë që të mbahet ky trend pozitiv. “Ne jemi shumë të kënaqur me punën që është bërë në Mitrovicë sa i përket riatdhesimit, por kërkojmë që të mbahet ky standard”.
Ajo tha se gjatë vizitës së një delegacioni të Komisionit Evropian rreth një muaj më parë në Kosovë, që kishin për qëllim vlerësimin e situatës sa i përket riatdhesimit, kanë qëndruar edhe në Mitrovicë ku janë njohur për së afërmi në gjendjen këtu. “Pas vizitës së tyre kemi marrë edhe dritën jeshile për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave andaj në këtë sukses ka hisen e vet edhe Mitrovica”.
Në anën tjetër, kryetari Kastrati, tha se janë shumë të mobilizuar që riatdhesimi të shkoj mbarë. “Kemi vënë gjithë kapacitetet tona në dispozicion të këtij procesi, andaj edhe rezultatet janë inkurajuese”.
Ai theksoi se Mitrovica ka probleme të mëdha, duke pasur parasysh rrethanat aktuale politike dhe të sigurisë, mirëpo kjo nuk ka penguar në drejtim të angazhimit për të riatdhesuarit. “Ne tashmë kemi vënë në binarë mekanizmat për përcjelljen e këtij procesi dhe jemi të bindur se edhe në të ardhmen do të jemi të suksesshëm”.
Ndërsa për shifrat e të kthyerve, problemet dhe mbështetjen për ta, foli drejtori për Integrime Evropiane, Kastriot Jashari. Ai tha gjatë këtij viti janë regjistruar 76 familje të riatdhesuar me gjithsej 207 anëtarë. “Prej tyre 14 familjeve u paguhet qiraja, ndërsa për 10 familje ndahen ndihma ushqimore”.
Megjithatë ai përmendi se të gjithë të kthyerit kanë deklaruar se nuk kanë pronë të veten. Theksoi se kjo paraqet problem në lidhje me mundësin për mbështetjen e tyre për ndërtimin e shtëpive për rastet më ekstreme.
Ai tha se enkas për të riatdhesuarit është formuar një grup punues që drejtohet prej nënkryetarit të komunës. “Prej të kthyerve nuk ka probleme për integrim në procesin arsimor dhe as për regjistrin civil”.
Ndërsa ministrja Çitaku, ka cekur edhe fushatën që ka nisur sa i përket vetëdijesimit të qytetarëve për rrezikun nga kërkesat për azil. Tha se kërkesa për azil dëmton më së rëndi procesin për liberalizimin e vizave dhe rrezikon jetën e qytetarëve, duke pasur parasysh se ata dalin në mënyrë ilegale në shtetet perëndimore.
Theksoi se duhet të jenë të gjithë të vetëdijshëm se azili më nuk është zgjidhje, prandaj qytetarët duhet të heqin dorë prej këtij opsioni. “Prej shpalljes së pavarësisë të gjithë ata që kanë kërkuar azil janë refuzuar dhe janë kthyer brenda një kohe të shkurtër”.