Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Deputetët britanikë interesohen për Mitrovicën

2011/11/18 - 12:00

Një grup i deputetëve të Parlamentit Britanik ka qëndruar të premten në Mitrovicë, ku janë pritur nga nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Riza Haziri. Ata biseduan për aktualitetin në Mitrovicë dhe për sfidat me të cilat ballafaqohen qytetarët mitrovicas. Nënkryetari Haziri, foli për problemet e pasluftës në këtë komunë, duke thënë se për dallim nga komunat tjera, Mitrovica ka një situatë më specifike. Për të ilustruar këtë përmendi mungesën e funksionimit të rendit dhe ligjit në veri, ku veprojnë strukturat paralele serbe.

Në këtë kontekst, theksoi se këto struktura janë duke e mbajtur nën presion popullatën në veri, duke mos e lejuar që të integrohet në institucionet e Republikës së Kosovës. “Si pasojë e mungesës së rendit dhe ligjit në veri, atje kemi një situatë kaotike, që është duke sfiduar si institucionet vendore gjithashtu edhe ato ndërkombëtare”.

Ai tha se komuna dhe institucionet e Republikës së Kosovës kanë një qasje gjithpërshirëse për të gjithë qytetarët pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, mirëpo ndikimi dhe roli i madh i Serbisë tek qytetarët serbë të veriut është duke penguar normalizimin e situatës. Për këtë ai përmendi edhe situatën e re pas vendosje se barrikadave në rrugët magjistrale të veriut nga udhëheqësit ilegalë të komunave të veriut.       

Mysafirët britanikë, të cilët shoqëroheshin edhe nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, u interesuan edhe për raportet e komunës me KFOR-in si dhe organizmat tjerë ndërkombëtarë në Kosovë. Deshën të dinë më tepër për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Lidhur me këtë, nënkryetari Haziri, tha se raportet e Komunës me KFOR-in janë të shkëlqyeshme. “Ka një bashkëpunim të mirë me të gjitha institucionet ndërkombëtare e sidomos me KFOR-in”.
Ai tha se njëjtë nuk ka qenë edhe me drejtuesit e UNMIK-ut në Mitrovicë, të cilët kanë udhëhequr një politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve në veri. Tha se si pasojës e asaj politike kanë derivuar shumë probleme me të cilat ballafaqohen qytetarët atje.

Ndërsa për aspektin ekonomik, investimet në infrastrukturë etj, për të cilat u interesuan deputetët britanikë, nënkryetari Haziri, përmendi përkrahjen e komunës për bizneset. Tha se Mitrovica ka ndër normat më të ulta tatimore për bizneset në gjithë Kosovën.      

Ai tha se problem i madh është numri i madh i të papunëve. “Mitrovica ka qenë një qytetet industrial, që ka pësuar shumë dhe si pasojë ajo industri tash është jashtëfunksionit. Sa i përket “Trepçës”, saktësoi se aty punohet me një kapacitet të vogël.

Deputetët britanikë pas takimit në komunë vizituan  urën e Ibrit, ku panë për së afërmi barrikadën e vendosur nga serbët në këtë urë.