2011/11/17 - 12:00
Në fshatin Bare të Shalës së Bajgorës ka përfunduar ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës, duke krijuar mundësi të mëdha për aktivitetet rinore dhe kulturore për të rinjt dhe banorët e kësaj ane. Zyrtarët komunalë thonë se është një investim me rëndësi, duke pasur parasysh se ky fshat është si një qendër ku mblidhen të rinjt e rajonit të Shalës. Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Artan Osmani si dhe zyrtarë të tjerë komunalë, kanë qëndruar në Bare ku kanë parë për së afërmi objektin e ndërtuar, i cili i ka dhënë një pamje urbane kësaj zone. U tha se investimet për krjimin e hapësirave për të rinjt do t vazhdojnë edhe në mjediset tjera.
Drejtori Osmani tha se komuna do të vazhdoj të investoj në krijimin e kushteve për aktivitete kulturore edhe në zonat rurale. “Përveç në qytet, ne do të investojmë që të rinjtë të kenë kushte për aktivitete rinore dhe kulturore edhe në fshatra”.
Ai theksoi se në Bare Shtëpia e Kulturë ka funksionuar prej vitit 1946, mirëpo objekti i saj ishte shkatërruar dhe djegur në luftën e fundit. “Në këtë fshat ka funksionuar deri në luftë Shtëpia e Kulturë dhe biblioteka, mirëpo gjatë luftës serbët i kanë djegur të dy objektet”.
Osmani theksoi se prej përfundimit të luftës biblioteka është duke funksionuar në një kontejner, ndërsa pas ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës, ajo të vendoset në objektin e ri. “Fshati Bare ka qenë një qendër për Shalën e Bajgorës, ku pos këtyre objekteve kulturore, mandej ambulancës që edhe tash funksionon, ka pasur edhe fabrikë”.
Përveç në Bare, ai tregon se në rajonin e Shalës, përkatësisht në Trepçë, ka funksionuar deri në luftë edhe kinemaja, objekti i së cilës poashtu tash është i shkatërruar. “Duke pasur parasysh se në këtë rajon ka shumë të rinj, është vlerësuar si shumë me rëndësi investimi në krijimin e kushteve për aktivitet e tyre rinore dhe kulturore në afërsi të vendbanimeve të tyre”.
Ai sqaroi se për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës me hapësirë prej 300 metrash katrorë në Bare, drejtoria e tij ka ndarë 125 mijë euro. “Punët i ka kryer kompania “Erconstruktion”.