Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Në Bair zbulohen eshtra edhe të 25 personave të zhdukur gjatë luftërave

2011/10/31 - 12:00

Me qëllim që të hulumtohet i tërë terreni përreth vendit ku janë gjetur eshtrat e disa personave, kryetari Kastrati ka kontraktuar Kompaninë “Loti”, e cila gjatë fundjavës dhe të hënën ka punuar pa ndërpre dhe me këtë rast ka hasur në shumë eshtra të tjerë, për të cilët mendohet se janë të rreth 25 personave të paidentifikuar.

Me urdhrin e kryetarit të Komunës, Avni Katrati, në vendin ku ditë më parë u gjenden eshtra të njeriut, për të cilët supozohej se janë të shqiptarëve të vrarë nga ushtria serbe gjatë luftës së dytë botërore, kazermën e ish ushtrisë famëkeqe serbe, përkatësisht në pjesën e epërme të saj mu pranë rrugës që qon në spitalin e qytetit që tashmë është vendosur aty, në Bair, ka vazhduar hulumtimi i mbetjeve të tjera mortore.
Me qëllim që të hulumtohet i tërë terreni përreth vendit ku janë gjetur eshtrat e disa personave, kryetari Kastrati ka kontraktuar Kompaninë “Loti”, e cila gjatë fundjavës dhe të hënën ka punuar pa ndërpre dhe me këtë rast ka hasur në shumë eshtra të tjerë, për të cilët mendohet se janë të rreth 25 personave të paidentifikuar.
Kryetari Kastrati, i cili për çdo ditë i ka vizatuar punëtorët e Kompanisë “Loti”, për të parë nga afër gjetjen e eshtrave të tjerë, tha se pa marrë parasysh se cilës periodë kohore i takojnë këta eshtra, është shumë me rëndësi që ata të grumbullohen dhe të vendosen në varrezat e qytetit.
“Eshtrat do të tubohen në një vend për të pritur që të bëhet analiza e tyre përmes ADN-së dhe të identifikohen, pasi që ka shumë qytetarë që tashmë janë të interesuar për të gjetur të afërmit e tyre që u janë zhdukur dhe nuk kanë ditur asgjë për fatin e tyre për vite të tëra”, tha kryetari Kastrati.
Ai ka apeluar edhe tek institucionet qendrore të vendit dhe ato ndërkombëtare që të krijojnë kushte dhe të ndihmojnë identifikimin e këtyre mbetjeve mortore, pasi që këtë nuk mund ta bëjë vetëm komuna e Mitrovicës.
Murat Isufi, shef i sektorit për dëshmorë, invalidë të luftës dhe viktima civile të luftës në komunën e Mitrovicës, nën mbikëqyrjen e të cilit po hulumtohet terreni në Bair, tha se vazhdimisht po dalin në sipërfaqe  eshtra, madje jo në thellësinë e varrezave, por më cekët.
“Mendoj se gjatë këtyre tri ditëve të gërmimit janë gjetur eshtra të rreth 25 personave. Është gjetur një kafkë njeriu me të gjithë dhëmbët të padëmtuar. Eshtrat që u gjenden para dy javësh i kemi dërguar në Departamentin e Mjekësisë Ligjore të EULEX-it dhe nga atje është kthyer një përgjigje nga Allen Robinson, i cili thotë se eshtrat nuk do tu bëhet analiza e ADN-së, pasi që ata janë të periodës para luftës së fundit, dhe ky departament nuk ka mandat për identifikimin e tyre”, tha Isufi.
Bajram Çerkini, drejtues i Shoqatës së të pagjeturve, tha se në vendin ku po gjenden eshtrat gjatë luftës së dytë botërore ka qenë burg për shqiptarët dhe se aty kanë hyrë shumë sish, por më kurrë nuk janë parë e as gjetur. Mirëpo, shton ai, eshtrat e gjetur nuk janë të gjithë të një ngjyre, mandej disa nuk janë dëmtuar shumë dhe prandaj dyshohet se aty mund të ketë edhe eshtra të shqiptarëve që nga serbët janë vra në luftën e fundit.
Punët në hulumtimin e terrenit në Bair për të gjetur eshtra të tjerë, vazhdimisht i kanë përcjell pjesëtarët e policisë së Kosovës, përfaqësuesit e KFOR-it zviceran dhe herë pas here edhe familjarë të interesuar për të zhdukurit e tyre.