2011/09/30 - 12:00
Ne e kemi përshëndetur publikisht edhe si ekzekutiv edhe si legjislativ vendimin e kryeministrit Thaçi për operacionin e 25 korrikut, që ka rezultuar me marrjen nën kontroll të pikave doganore 1 dhe 31. Poashtu ne i kemi dhënë mbështetje edhe operacionit për vendosjen e policëve dhe doganierëve kosovarë në këto pika. Vlerësojmë se masat që janë ndërmarrë për vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit, në koordinim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in, paraqesin një kthesë të jashtëzakonshme për shtrirjen e sovranitetit në gjithë Kosovën.
Të nderuar të pranishëm
Fillimisht më lejoni t’ju përshëndes dhe t’ju uroj mirëseardhje në këtë seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës, ku na ka nderuar me praninë e tij edhe ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Bajram Rexhepi. Shprehim falënderimin tonë më të sinqertë për ministrin, i cili është sot këtu me ne për të diskutuar për gjendjen në veri të Kosovës.
Ne e kemi përshëndetur publikisht edhe si ekzekutiv edhe si legjislativ vendimin e kryeministrit Thaçi për operacionin e 25 korrikut, që ka rezultuar me marrjen nën kontroll të pikave doganore 1 dhe 31. Poashtu ne i kemi dhënë mbështetje edhe operacionit për vendosjen e policëve dhe doganierëve kosovarë në këto pika. Vlerësojmë se masat që janë ndërmarrë për vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit, në koordinim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in, paraqesin një kthesë të jashtëzakonshme për shtrirjen e sovranitetit në gjithë Kosovën.
Në këtë kontekst, ky është një moment i ri në politikën vendore, që ka mbështetjen e gjithë faktorëve relevantë ndërkombëtarë. Vendosmëria e drejtuesve të institucioneve tona dhe filozofia aktive politike, i ka bindur të gjithë për të drejtën tonë për të vepruar si shtet, brenda mandatit kushtetues. Në të njëjtën kohë ky vizion ka nxjerrur në shesh demagogjinë e vërtetë të politikës serbe karshi Kosovës dhe në veçanti pjesës veriore.
Mënyra e veprimit të grupeve kriminale dhe strukturave paralele serbe, duke bllokuar lëvizjen e lirë me anë të barrikadave reflekton mentalitetin e së kaluarës. Dhuna ndaj trupave të KFOR-it dhe EULEX-it si dhe provokimet dhe sulmet e tyre ndaj qytetarëve joserbë, nxjerr në pah qasjen kriminale ndaj botës dhe vlerave demokratike.
Në anën tjetër, përveç veprimit të matur nga institucionet tona dhe ato ndërkombëtare, kemi një sjellje tepër të pjekur nga qytetarët tanë, si në veri ashtu edhe në jug të qytetit. Përkundër gjendjes së rëndë, duke pasur parasysh problemet sa i përket qarkullimit, shqiptarët që jetojnë në veri janë treguar shumë të përgjegjshëm, duke mos rënë pre e provokimeve të atyre që duan eskalim të situatës. Shfrytëzoj rastin të shpreh admirimin tim për kurajën e tyre të vazhdueshme, duke ditur rrethanat specifike në të cilat jetojnë.
Pas gjendjes së krijuar si pasojë e bllokimit të rrugëve, ne si komunë kemi reaguar duke qenë vazhdimisht pranë qytetarëve, sidomos atyre në veri. Jemi koordinuar me ta edhe sa i përket nevojave që kanë pasur për furnizim me artikuj ushqimorë dhe mjete higjienike, duke ju dalur në ndihmë të gjithëve që kanë pasur nevojë, si shqiptarëve, boshnjakëve, turqve, romëve, por edhe serbëve që kanë kërkuar. Poashtu kemi intervenuar me ndihma ushqimore tri herë për banorët e Bistricës, Cerajës dhe Koshtovës si dhe kemi hapur për qarkullim një rrugë malore, e cila ka nevojë ende për t’u bërë e kalueshme për vetura.
Si refleks ndaj situatës prej korrikut kemi ngritur edhe Qendrën e situatës në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, për të përcjellur situatën vazhdimisht dhe për të qenë të koordinuar edhe me strukturat e sigurisë. Në këtë drejtim kemi mbajtur edhe takime të shpeshta të Komitetit lokal të sigurisë, ku marrin pjesë përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, KFOR-it, EULEX-it etj. Është vlerësim i përbashkët se situata në veri është shumë e ndjeshme, mirëpo vendosmëria e institucioneve tona si dhe strukturave të sigurisë na bën të besojmë në normalizimin e plotë të situatës edhe në këtë pjesë të vendit tonë. Ju faleminderit.