2011/09/30 - 12:00
Qeveria e Republikës së Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i të ndalojnë hyrjen në Kosovë të personaliteteve politike, individëve të armatosur nga shteti fqinj, të cilët bëjnë thirrje për pastrim etnik dhe nxisin konflikte ndëretnike në veriun e Kosovës.
KUVENDI I KOMUNËS
Nr. 02/06-10450/1 dt. 30.09.2011
Mitrovicë
Duke pasur parasysh ngjarjet e fundit në veriun e Kosovës, situatën e përkeqësuar si pasojë e akteve vandale të grupeve kriminale serbe të organizuara nga strukturat paralele të komunave në veri dhe të orkestruara dhe të dirigjuara drejtpërdrejt nga Beogradi; Kuvendi i Komunës së Mitrovicës në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot më dt. 30.09.2011 lëshon këtë:
DEKLARATË POLITIKE
Dënojmë fuqishëm aktet vandale, bllokimin e rrugëve me vendosjen e barrikadave, sulmin ndaj KFOR-it dhe EULEX-it, sulmin e para dy ditëve mbi punëtorët e etnive të ndryshme të cilët punonin për USAID-in dhe pastronin shtratin e lumit Ibër.
Apelojmë tek përgjegjësit për rend dhe siguri në Kosovë, në radhë të parë Qeverinë e Republikës së Kosovës, KFOR-in dhe EULEX-in, që konform përgjegjësive të tyre të ndërmarrin veprime të shpejta për heqjen e barrikadave dhe arrestimin e kriminelëve, kjo është në interes të qytetarëve të të gjitha komuniteteve të veriut të Kosovës. Përkrahim Qeverinë e Kosovës në shtrirjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës në mënyrë që të krijohen kushte për lëvizje të lirë të qytetarëve dhe kthim të qëndrueshëm të të zhvendosurve në pronat e veta.
Qeveria e Republikës së Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i të ndalojnë hyrjen në Kosovë të personaliteteve politike, individëve të armatosur nga shteti fqinj, të cilët bëjnë thirrje për pastrim etnik dhe nxisin konflikte ndëretnike në veriun e Kosovës.
U apelojmë qytetarëve serb, banorë të Komunës së Mitrovicës, që të distancohen nga veprimet kriminale të grupeve të caktuara dhe njëkohësisht e inkurajojmë këtë komunitet që të tregojnë vullnet të mirë për bashkëpunim, integrim dhe ndërtimin e Kosovës së re dhe të përbashkët, për këtë do ta kenë mbështetjen e të gjitha institucioneve Republikës së Kosovës, të cilat janë në shërbim të të gjithë qytetarëve.
Kuvendi i Komunës së Mitrovicës dhe Kryetari i Komunës i siguron të gjithë qytetarët e Mitrovicës se me vëmendje përcillen të gjitha zhvillimet politike dhe ato të sigurisë dhe njëkohësisht inkurajojnë qytetarët që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve të ekstremistëve apo individëve të cilët nuk ia duan të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Të gjitha institucionet vendore, ato ndërkombëtare, e veçanërisht Qeveria e Republikës së Kosovës, të shtojnë përkushtimin për zbatimin e Kushtetutës dhe ruajtjes së tërësisë territoriale të Kosovës.
Mitrovicë, 30.09.2011 Kryesuesi i Kuvendit
Dr. Rrustem MUSA