2011/09/17 - 12:00
Përfaqësuesit e strukturave politike dhe atyre të sigurisë në Mitrovicë, kanë përshëndetur vendosjen e policisë dhe doganierëve të Kosovës në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, me mbështetje të EULEX-it dhe KFOR-it. Njëkohësisht është përshëndetur edhe pjekuria e qytetarëve sa i përket mbarëvajtjes së situatës. Në takimin e Komitetit të Sigurisë që u mbajt të shtunën, nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Riza Haziri, ka thënë se vendosja e policisë dhe doganierëve të Republikës së Kosovës në pikat kufitare në veri është shumë e rëndësishme për vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të Kosovës. Ai ka vlerësuar se me këtë do të krijohen rrethanat për kthimin e normalitetit në veri.
Nënkryetari Riza ka theksuar rëndësinë e madhe të faktit se përveç bllokadave të rrugëve nuk ka pasur ndonjë incident serioz. “Situata në përgjithësi është e qetë, përderisa bllokadat e rrugëve nga grupet serbe kanë tensionuar situatën dhe kanë bërë që problemet për qarkullim për banorët e veriut, sidomos për ata joserbë të jenë të mëdha”.
Në këtë kontekst, ai kërkoi nga strukturat e sigurisë që të marrin masa për largimin e këtyre bllokadave që kanë vështirësuar jetën e qytetarëve në atë pjesë të vendit. “Banorët shqiptarë që jetojnë në veri të qytetit dhe ata në fshatrat shqiptare të Leposaviqit kanë mbetur të izoluar për shkak të bllokimit të rrugëve”.
Ai ka reaguar edhe ndaj provokimit që ka ndodhur të premten mbrëma nga një grup ekstremistësh serbë, të cilët kanë hedhur gurë në drejtim të policisë dhe përfaqësuesve të mediave në urën e Ibrit. Tha se pas përforcimit të barrikadës të vendosur në këtë urë, serbët kanë provokuar situatën, por reagimi i shpejtë i policisë ka ndikuar në qetësimin e gjendjes.
Nënkryetari Haziri ka falënderuar qytetarët që nuk kanë rënë në provokimet e këtyre grupeve ekstremiste. “Qëllimi i grupeve ekstremiste serbe është eskalimi i situatës në mënyrë që të tërhiqet vëmendja nga pikat kufitare. Andaj të gjithë duhet të jenë syçelë dhe të përgjegjshëm për të mos u bërë aleat i tyre në këtë situatë”.
Theksoi se strukturat e sigurisë, duke filluar nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i janë në krye të detyrës së tyre, andaj asnjë veprim jashtë institucional nuk i kontribuon mbarëvajtjes së situatës dhe si i tillë është i papranueshëm. “Qytetarët duhet të kenë besim te institucionet e Republikës së Kosovës, të cilat me mbështetje të faktorëve relevantë ndërkombëtarë janë duke operuar për vendosjen e rendit dhe ligjit”.
Sa i përket situatës së sigurisë, komandanti i stacionit jugor të policisë, Avni Zabeli, tha se ka tensione, por situata është duke u menaxhuar mirë. Tha se janë fokusuar në shtimin e masave të sigurisë në zonat me popullatë të përzier dhe deri me tani nuk është shënuar asnjë incident ndëretnik.
Tha se tensione ka pasur edhe në Rudare të Vogël, pas vendosjes së barrikadave në rrugë, me ç’rast është bllokuar rruga për qarkullim që shfrytëzohej nga një familje shqiptare në fshatin Kelmend. “Pas situatës së krijuar atje janë dërguar njësite shtesë të policisë për të parandaluar eskalimin”.
Sa i përket problemeve të qytetarëve që kanë mbetur të izoluar për shkak të bllokimit të rrugëve, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se komuna në kuadër të mundësive që ka do të ndihmoj të gjithë qytetarët pa dallim të përkatësisë së tyre etnike. Në këtë kontekst, ai tha se të shtunën, komuna ka siguruar një kontingjent ushqimesh për qytetarët e Kodrës së Minatorëve.