2011/09/08 - 12:00
Zyrtarët e Komunës së Mitrovicës gjatë një vizite që kanë zhvilluar në fshatin Zabërxh, ku janë takuar me drejtuesit e shkollës fillore “Riza Voca”, kanë premtuar zgjidhjen e shpejtë të problemit të furnizimit me ujë për këtë shkollë. Kjo ka qenë kërkesa kryesore e stafit drejtues të kësaj shkolle në këtë fshat të thellë të Shalës së Bajgorës, rreth 20 kilometra larg nga qyteti. Drejtori i kësaj shkolle, Xhafer Fejza, tha se për shkak të defektit në hidrantin që furnizon me ujë shkollën, ata kanë mbetur pa ujë. “Me buxhetin që kemi si shkollë nuk kemi mundësi të rregullojmë këtë defekt dhe kjo po na shkakton probleme”, thotë ai.
Ai thekson se përkundër numrit të vogël të nxënësve në këtë shkollë, objekti shkollor që është ndërtuar pas luftës nuk i plotëson nevojat, meqë është detyruar që edhe sallën e drejtorit të shndërroj në klasë. “Objekti është i mirë, por i vogël edhepse në shkollën tonë aktualisht mësojnë 16 nxënës, me të cilët punon një staf prej 9 vetash”.
Thotë se kuadri po përmirësohet vazhdimisht, ndërsa problem për ata që udhëtojnë nga fshatrat tjera paraqet gjendja e keqe e rrugës. Cek faktin se gjysma e stafit udhëton prej fshatrave të tjera me vetura të tyre, për shkak se në fshat nuk qarkullon ndonjë minibus për shkak të rrugës së dëmtuar.
Ai kërkoi nga zyrtarët komunalë të prirë nga drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, që të shqyrtojnë mundësinë që së paku të rregullohet rruga me zhavorr. “Baza e rrugës është e mirë, por ka nevojë për një shtresë që të mbulohen gropat, meqë janë duke na shkaktuar probleme të mëdha për qarkullim”.
Në anën tjetër, drejtori Bala, tha se do të reagoi shpejt për të zgjidhur problemin e furnizimit me ujë të pijes në shkollë. “Kjo është një çështje emergjente, andaj ne do të reagojmë shpejt dhe do ta zgjidhim këtë problem”. ndërsa për rrugën tha se kërkohet një investim më i madh për çka duhet një planifikim adekuat në mënyrë që të reagohet.
Fshatarët e Zabërxhes tregojnë se për shkak të largësisë dhe mungesës së infrastrukturës rrugore, atje tani jetojnë 10 familje, përderisa para luftës kanë jetuar afër 30 familje.