2011/08/03 - 12:00
Sikur vitin e kaluar edhe sivjet me ndihmën e Komunës së Inegolit nga Turqia, në Mitrovicë gjatë gjithë muajit të Ramazanit do të shtrohen nga 800 iftare për qytetarët e këtushëm. Kjo po realizohet në sheshin “Liria” në qendër të qytetit në një tendë të përgatitur enkas. Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët ka bërë iftar të martën bashkë më shumë qytetarë në këtë tendë. Me këtë rast ai të gjithë qytetarëve mitrovicas ju ka uruar agjërim të lehtë në muajin e madhërishëm, ndërsa në anën tjetër e ka falënderuar homologun e tij nga Inegoli, Alinur Aktash për përkrahjen e madhe që është duke i dhënë Mitrovicës”.
Kryetari Kastrati tha se prej binjakëzimit me Komunën e Inegolit bashkëpunimi ka qenë shumë i frytshëm. “Ka disa vite që ansambli i këngëve dhe valleve të qytetit tonë merr pjesë në një festival ndërkombëtar të artit dhe kulturës në Inegol, mandej me ndihmën e një biznesmeni turk është duke u rindërtuar një xhami në varrezat e qytetit, ndërsa që sivjet është viti i dytë që me ndihmën e biznesmenëve të atij qyteti është duke u realizuar projekti për dhënien e iftareve për qytetarët mitrovicas gjatë gjithë Ramazanit”.
Ndërsa Skender Junka, nga organizata turke “Vakëfi i Ejup Sulltanit”, që organizon gjithë aktivitetin për këto projekte bamirësie në Kosovë, tha se këto projekte mundësohen nga biznesmenët dhe institucionet e ndryshme turke. “Në Prishtinë që katër vite është duke u realizuar një projekt i tillë, ndërsa në Mitrovicë që dy vite”.
Tha se projektet e bamirësisë ndihmojnë njerëzit në nevojë dhe njëherit edhe krijojnë lidhje bashkëpunimi me njëri-tjetrin.