Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

U prezantuan projektet që do ta ndryshojnë Mitrovicën

2011/07/12 - 12:00

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministrat Bajram Rexhepi, Bedri Hamza dhe Memli Krasniqi, ka marrë pjesë të martën në prezantimin e projekteve që financohen nga Komisioni Evropian (KE) dhe që mbështeten edhe nga qeveria kosovare në Mitrovicë.  Investimi i KE-së me 14.5 milionë euro si dhe i qeverisë me 8 milionë për tri projekte (Riparimi i palestrës “Minatori”, mandej ndërtimi i një qendre shumfunksionale si dhe i një qendre komerciale), u vlerësua  tejet i rëndësishëm për Mitrovicën, duke pasur parasysh problemet e mëdha ekonomike. Kryeministri Thaçi, tha para shumë të pranishmëve që ishin mbledhur në sallën e Kuvendit të Komunës se Mitrovica i ka merituar këto projekte me punën dhe përkushtimin e treguar edhe nga udhëheqësia komunale. “Nuk ka qenë lehtë, por përkushtimi i madh i kryetarit Kastrati dhe ekipës së tij kanë krijuar mundësi që në Mitrovicë të investohen 23 milionë euro”.

Ai theksoi se edhe qeveria të cilën ai e drejton sikur në këtë rast që ka ndihmuar me 8 milionë euro për këto projekte, do të vazhdoj që ta mbështes Mitrovicën. “Synim yni është zhvillimi ekonomik i gjithë vendit andaj edhe përkrahja jonë në këtë drejtim nuk do të mungoj për asnjë komunë të vendit”.

Kryeministri Thaçi, theksoi se këto projekte në Mitrovicë do të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik dhe do të hapin vende të reja pune. “Mitrovica me këtë investim do të ketë disa objekte moderne, të cilat asaj i kanë munguar deri me tani dhe të cilat ajo i ka merituar”.

Për detajet teknike të projekteve, foli Kjartan Bjorson nga KE-ja, i cili tha se janë katër pika kryesore ku do të investohet në Mitrovicë. Së pari përmendi renovimin detal të palestrës së sportit “Minatori”, e cila do të shndërrohet në një objekt shumë fleksibël, që do të ofroj mundësi të shumta për aktivitet sportive.

Së dyti ceku ndërtimin e një qendre shumfunksionale sportive, e cila do të ketë një pishinë gjysmëolimpike, mandej hapësira të shumta për sporte si karate, xhudo etj. “Do të krijohen mundësi të shumta edhe për aktivitetet e shoqërisë civile”.

Mandej se treti Bjornson foli për investimet në fushën e gjelbërimit në Parkun e Qytetit, ku sipas tij, do të rregullohet shtrati i lumit Ibër, mandej do të mbillen pemë  të reja etj. Në fund përmendi edhe qendrën komerciale, ku do të ketë shumë hapësira që do të jepen në shfrytëzim të bizneseve. “Të gjitha këto do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Mitrovicës”.

Ndërsa kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka shprehur kënaqësinë e madhe për këto projekte kapitale që do të realizohen brenda dy vitesh në Mitrovicë.  “Të gjithë e dimë për vështirësitë e mëdha që e kanë përcjellë qytetin dhe qytetarin tonë pas luftës. Rrethanat politike kanë ndikuar shumë në gjendjen ekonomike. Në këtë kontekst nevoja për të investuar në Mitrovicë ka qenë dhe mbetet shumë e madhe”.

Ai tha se pikërisht për këtë arsye, këto projekte që financohen nga Komisioni Evropian dhe me mbështetje edhe të institucioneve tona, kanë një rëndësi tepër të madhe për Mitrovicën. “Përveç tjerash do të ndikojnë shumë edhe në krijimin e besimit për të investuar këtu”.

Kryetari Kastrati ka falënderuar Komision Evropian dhe në veçanti, shefin e operacioneve, Kjartan Bjornsson, i cili ka dhënë një kontribut të madh për realizimin e shumë projekteve të ndryshme në Kosovë, e posaçërisht të këtij projekti me rëndësi të madhe për qytetarët e Mitrovicës. “Është një investim kapital që do të gjeneroj zhvillim ekonomik dhe të përgjithshëm në këtë komunë”.

Në fund ai tha se të gjithë janë dëshmitarë se tashmë në këtë qytet janë realizuar edhe projekte të tjera me mbështetje të Komisionit Evropian që kanë krijuar kushte më të mira për jetë, ndërsa tash me përpjekje dhe punë të mëdha të zyrtarëve të Komisionit Evropian, Qeverisë dhe Komunës po merr udhë një investim që do ta ndryshoj Mitrovicën. “Ne si qytetarë të Mitrovicës jemi mirënjohës për kontributin tuaj në këtë drejtim dhe jemi të bindur se bashkëpunimi ynë do të vazhdoj të jetë i frytshëm edhe në të ardhmen”.