2011/07/08 - 12:00
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka pritur të premten në takim drejtorin e Agjencionit Tatimor të Kosovës (ATK), Behxhet Haliti, i cili shoqërohej edhe nga bashkëpunëtorë si dhe drejtori rajonal i ATK-së, Ukshin Rrecaj. Në takim ku u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet komunës, ATK-së dhe bizneseve, mori pjesë edhe drejtori i Degës rajonale të odës ekonomike, Rrustem Abiti. U vlerësua se në përgjithësi niveli i bashkëpunimit është i mirë ndërmjet këtyre institucioneve duke rezultuar edhe me ngritjen e të hyrave nga ana e ATK-së. Haliti tha se janë duke vizituar qendrat rajonale për të parë ecurinë e punës në gjashtëmujorin e parë të këtij viti dhe angazhimet që janë duke u ndërmarrë për gjashtëmujorin e dytë.
Sa i përket rajonit të Mitrovicës, Haliti tha se në përgjithësi ATK-ja ka një raport korrekt me bizneset. Tha se sfidë paraqet veriu ku janë duke u bërë përpjekje të mëdha për normalizimin e gjendjes edhe atje se i përket aktiviteteve të ATK-së. “Edhe në veri ka biznese që e paguajnë tatimin, mirëpo në nivel të vogël”.
Në anën tjetër, kryetari Kastrati, ka shprehur mbështetjen për të gjitha aktivitetet e ATK-së. “Ne jemi ta gatshëm dhe të përkushtuar për bashkëpunim në të gjitha fushat ku mund të ndihmojnë për rritjen e nivelit të tatimeve”.
Ndërsa drejtori rajonal i odës ekonomike, Rrustem Abiti, tha se kanë nivel të mirë bashkëpunimi me ATK-në, duke përfshirë edhe edukimin e bizneseve për pagesën e tatimit. Ai përmendi si problem mosfunksionimin e pikave doganore në veri, me çka krijohet një konkurrencë jolojale në treg.