2011/06/30 - 12:00
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Ramë Buja, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati dhe Christof Heil nga GIZ-i kanë nënshkruar të mërkurën një memorandum për krijimin e një qendre të kompetencës në Mitrovicë që ka të bëj me edukimin për kujdes ndaj mjedisit. Është vlerësuar si një projekt shumë i rëndësishëm për Mitrovicën. Ministri Buja ka theksuar se MASHT është duke dhënë mbështetje për themelimin e këtyre qendrave nëpër gjithë komunat e vendit. “Është një formë e mirë e krijimit të mundësive për edukimin e të rinjve për fusha të ndryshme që nuk ofrohen në shkollat e rregullta”.
Ndërsa kryetari i komunës, Avni Kastrati, shprehu kënaqësinë e tij për hapat konkretë që kanë nisur për projektin që ka të bëj me edukimin e të rinjve për kujdesin ndaj mjedisit. “Për komunën tonë ky projekt ka një rëndësi shumë të madhe për shkak të gjendjes jo të mirë të mjedisit”.
Ai tha se Mitrovica ka pasur një industri shumë të zhvilluar, ndërsa për pasojë pas luftës është trashëguar një gjendje të rëndë mjedisore. “Ende kemi problem me nivelin e lartë të plumbit në ajër, tokë dhe ujë. Kemi probleme me deponitë industriale, mungesën e kolektorëve për trajtimin e ujërave të zeza etj”.
Në këtë drejtim, ai përmendi se problemi më i madh është mungesa e mjeteve financiare për t’u përballuar më këto sfida. Tha se projektet e kësaj natyre janë shumë të kushtueshme dhe si të tilla të papërballueshme për buxhetin komunal.
Kryetari Kastrati potencoi se në këtë situatë aspekti që mund të vlerësohet krucial është edukimi për t’u sjellë karshi kësaj gjendjeje. “Ky fakt ia shton rëndësinë projektit të MASHT-it për themelimin e qendrave të kompetencave, në këtë rast me përkrahje të DIAKOS-it dhe GIZ-it”.