Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Komuna e Mitrovicës merr në menaxhim kampin “Belvedere”

2011/06/20 - 12:00

Komuna e Mitrovicës, ka marrë në menaxhim të gjitha pajisjet dhe hapësirën e kampit “Belvedere”, në Frashër, ku deri me tani ka qenë i vendosur  KFOR-i. Kjo është bërë e mundur pas vendimit të Ministrisë së Mbrojtjes të shtetetit francez. Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka falënderuar ambadasorin francez dhe shtetin francez për këtë vendim, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm për Mitrovicën. “Në qytetin tonë ka probleme të mëdha për shkak të rrethanave specifike, sidomos për strehim dhe këto pajisje që gjenden aty do të shfrytëzohen   për këtë qëllim”.

Ndërsa drejtori komunal për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Kastriot Jashari, sqaroi se përveç rasteve sociale që kanë probleme me banim, në kontejnerët  që gjenden në atë vend do të vendosen edhe familjet e riatdhesuara si dhe një hapësirë do të ndahet për azilkërkuesit.  Tha se ajo hapësirë e liruar nga KFOR-i  do të menaxhohet bashkërisht nga Komuna dhe Ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës (MPB).

Drejtori Jashari, tha se në territorin e komunës gjenden katër strehimore kolektive, dy në Mitrovicë dhe dy të tjera në Stan Tërg, ku janë të vendosur rreth 270 banorë, shumica e tyre prej veriut. “Kushtet e tyre të banimit nuk kanë qenë të mira asnjëherë. Ne kemi biseduar me ta për zhvendosjen e tyre në Frashër dhe shumica e tyre e kanë mirëpritur”.

Ai theksoi se  organizimi i banimit  në Frashër do të jetë shumë më i lehtë, meqë kushtet janë të tilla që mundësojnë një gjë të tillë.  “Aty gjendet edhe kuzhina e cila do të shfrytëzohet për banorët që do të vendosen aty”.

Sa i përket bashkmenaxhimit me MPB, ai potencoi se komuna do ta ketë përgjegjësinë për pjesën ku do të vendosen  banorët mitrovicas që kanë probleme me strehim, ndërsa ministria do të kujdeset për pjesën e atij vendi ku do të vendosen të riatdhesuarit dhe azil kërkuesit.

Tha se hapësira ekzistuese në Frashër ku gjenden rreth 800 dhoma banimi në një hapësirë prej rreth 20 hektarësh, do të ndahet fizikisht për rastet sociale, të riatshesuarit dhe azilkërkuesit. “Prej të dielës ai vend është në përgjegjësi tonën dhe tashmë sigurinë aty është duke e bërë Policia e Kosovës”.

 Për të parë kushtet aty, në fundjavë aty ka qëndruar edhe ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, mandej kryetari ikomunës, Avni Kastrati më bashkëpunëtorë etj. Ata thanë se ky vend ofron një mundësi të mirë përveç  strehimit të rasteve sociale që kanë probleme me banim edhe për plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave, duke pasur parasysh kushtet për të riatdhesuarit.