2011/06/20 - 12:00
Revista Letrare “Fjale e Valë”, që botohet nga Shoqata e Shkrimtarëve të Mitrovicës (SHSHM), ka shënuar një jubile të rëndësishëm, botimin e numrit të 20-të. Në një takim me lexuesit e saj dhe përfaqësues të institucioneve lokale të Mitrovicës, drejtuesit e Revistës kanë folur për të arriturat dhe rrugëtimin e kësaj reviste letrare, që tani ka bërë emër në tërë hapësirën gjithë shqiptare. Nënkryetari i komunës, Rizah Haziri, duke marrë pjesë në shënimin e këtij jubileu, ka thënë se Revista letrare “Fjalë e Valë”, ka arritur që të krijoj rrethin e vet të lexuesve dhe dashamirëve, gjë që shihet nga vlerësimet e larta që i bëhen asaj nga krijuesit e ndryshëm të hapësirës mbarë shqiptare.
“Krijuesit e shumtë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e diaspora, që rregullisht e përcjellin botimin e revistës “Fjalë e Valë”, shprehen shumë pozitivisht për vlerat që ofron kjo revistë. Ata e mbështesin botimin e revistës, pasi që janë bindur se kjo është një ndër revistat e rralla që boton punimet e krijuesve nga të gjitha trevat shqiptare dhe ju jep mundësi edhe talenteve të rinj që të tregohen me krijimet e tyre”, ka thënë Haziri.
Krijuesi Miftar Kurti, tha se revista letrare “Fjalë e Valë”, është revistë që kultivon fjalën artistike, revistë e shtigjeve të reja për autorin, për tekstin, për lexuesin, për artin e fjalës, për letërsinë. Sipas tij, qëllimi i revistës dhe i redaksisë së saj, ishte që të hapej një dritare e re, të shtrihej një sofër ku mund të mblidhen të gjithë.
“Ky qëllim i shtruar në shkurt të vitit 2002, kur u botua numri i parë, u arrit plotësisht. Me punë e përkushtim revista vazhdoi rrugën duke u pasurua gjithnjë e më tepër. Përmes fjalës artistike në revistë u shfaqen pikëpamje, mendime, ide të ndryshme për jetën, botën. Realitetin, artin, letërsinë, dashurinë edhe nga figura më eminente të letërsisë dhe kulturës shqiptare, në një kohë kur numri i revistave serioze në Kosovë ishte zero”, tha Kurti.
Kryeredaktori i revistës “Fjalë e Valë”, Sabit Idrizi, tha se nuk është lehtë të botohet revistë letrare në kohën kur shkruhet shumë e lexohet pak. Por, tha ai, redaksia e revistës, përveç punës dhe përkushtimit, i kishte shtrua vetes edhe një mision të caktuar. “Ne sot jemi të kënaqur me produktin tonë, pasi që edhe lexuesit tanë janë të kënaqur. Ata interesohen shumë për këtë revistë, janë lexues besnik. Kemi pas edhe bashkëpunëtorë të shkëlqyeshëm, që më shkrimet e tyre e kanë pasuruar revistën. Do të vazhdojmë me çdo çmim këtë punë, sepse lexuesit po e kërkojnë këtë”, tha Idrizi.
Në shënimin e jubileut të revistës, folën edhe shumë intelektual e lexues dhe me këtë rast u vlerësua lartë punë që është bërë dhe vet revista.
Meritat kryesore për këtë u tha se i kanë entuziastët dhe krijuesit e palodhshëm mitrovicas, sabit Idrizi, Rizah Haziri, Gani Baliu, Fazli Hajrizi, Miftar Kurti, Isa Sejdiu etj.