Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Komiteti i sigurisë kërkon masa ndaj atyre që bllokojnë rrugët

2011/05/30 - 12:00

Përfaqësuesit e strukturave politike dhe të sigurisë në Mitrovicë, vlerësuan të hënën në takimin e rregullt dyjavor të Komitetit për vlerësimin e sigurisë, që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, se gjendja e sigurisë mbetet e brishtë. Thanë se rastet e bllokadave të rrugëve në komunat veriore nuk janë reflektuar në gjendjen e përgjithshme të sigurisë. Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, vlerësoj punën e mirë të strukturave të sigurisë që janë duke bërë sa i përket moslejmit të eskalimit të situatës, duke pasur parasysh tendencat e strukturave paralele serbe që dirigjohen nga Beogradi. Por konstatoi se mund të bëhet edhe më tepër, meqë bllokadat e rrugëve dhe ngjarje të tilla janë të papranueshme. “Strukturat e rendit duhet të veprojnë dhe të mos lejojnë bllokimin e rrugëve”.

Ai ka përmendur si shqetësim edhe provokimet e maturantëve serbë ndaj qytetarëve jo serbë në veri. “Defilimet e tyre nëpër lagjet me popullatë të përzier, por edhe në drejtim të urës së Ibrit me flamuj dhe simbole çetnike, përveç provokimit të situatës është një shenjë e keqe që dëshmon indoktrinimin e të rinjve nga forcat e errta serbe”.

Nënkryetari Haziri, ka theksuar se Komuna e Mitrovicës mbetet e hapur për bashkëpunim me të gjitha strukturat e sigurisë në të mirë të sigurisë dhe krijimit të kushteve më të mira për qytetarët. “Ne jemi të hapur dhe të gatshëm për ofrimin  e shërbimeve për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”.

Në takim foli edhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, i cili ka përmendur në detaje disa nga incidentet e dy javëve të fundit. Ka cekur protestat në veri të Mitrovicës, bllokimin e urës së Ibrit disa herë, mandej bllokimin e rrugëve magjistrale në veri. Tha se përkundër problemeve që kanë sjellë në këto tubime kohëve të fundit vërehet se numri i atyre që marrin pjesë është shumë i vogël. “Kjo është një dëshmi se ata nuk e kanë përkrahjen e shumicës në veri”.

Zyrtarë të stacionit jugor të Policisë së Kosovës, thanë se në zonën e tyre të përgjegjësisë nuk ka pasur ndonjë incident serioz.