2011/05/26 - 12:00
Mitrovicë, 26 maj
Kuvendi i Komunës, në mbledhjen e 16-të, të rregullt, që u mbajt të enjten nën drejtimin e kryesuesit Rrustem Musa, mori vendimin që objekti i Stacionit kryesor të Autobusëve, që gjendet në lagjen “Ilirida” të qytetit, të shpallet interes i veçantë për komunën dhe qytetarët.
Mitrovicë, 26 maj
Kuvendi i Komunës, në mbledhjen e 16-të, të rregullt, që u mbajt të enjten nën drejtimin e kryesuesit Rrustem Musa, mori vendimin që objekti i Stacionit kryesor të Autobusëve, që gjendet në lagjen “Ilirida” të qytetit, të shpallet interes i veçantë për komunën dhe qytetarët.
Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë të Kuvendit të Komunës, Rasim Veseli, ju tha këshilltarëve të pranishëm në mbledhje se asetet e stacionit kryesor të autobusëve në qytet, për shkak të mos mirëmbajtjes nga ana e AKP-së po dëmtohen, ndërkohë që ai ka rëndësi shumë të madhe për komunën dhe qytetarët e saj.
“Duke pas parasysh edhe faktin se hapësira ku është i vendosur stacioni, është pronë e komunës, e cila është dhënë në shfrytëzim të përkohshëm, me qëllim të shërbimit për qytetarë, atëherë është e nevojshme që ky objekt të shpallet interes i veçantë për komunën dhe qytetarët. Me këtë hap i bëhet me dije AKP-së që të mos e privatizojë atë, ndërkohë që i hapen rrugët kryetarit të Komunës për vazhdimin e procedurave me AKP-në për të gjetur zgjidhjen më të përshtatshme të mundshme”, tha Veseli.
Në këtë takim, këshilltarët e Kuvendit të Komunës nuk miratuan propozimin e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF), për dhënien në shfrytëzim të tokës ndërtimore për ndërtimin e xhamisë në Lagjen e Romëve. Këshilltarët thanë se nuk janë kundër ndërtimit të xhamisë në atë vend, por theksuan se Bashkësia Islame e Komunës, ka mjaftë prona të veta që do të mund të këmbeheshin me komunën, gjë që do të ishte zgjidhje më e mirë.
Edhe një propozim tjetër i KPF nuk u përkrah nga këshilltarët e Kuvendit të Komunës. Ishte fjala për vendimin për rezervimin e vendvarrimit në varrezat e qytetit, për të cilin u tha se duhet të debatohet më në hollësi dhe gjithanshëm, në mënyrë që pastaj të vendoset për apo kundër, pasi që shumë nga këshilltarët kishin rezervat e tyre të ndryshme për lejimin e një mundësie të tillë.
Këshilltarët e Kuvendit të Komunës njëzëri aprovuan propozimin për formimin e Komisionit për vlerësimin e dëmeve të luftës si dhe Planin e Veprimit për Integrimin e Komunitetit RAE në Mitrovicë. Po ashtu, këshilltarët morën vendim edhe për dhënien në shfrytëzim me qira të disa hapësirave në Qendrën e Kulturës dhe zgjodhën katër përfaqësues për Kuvendin e Asociacionit të Komunave të Kosovës.