2011/05/24 - 12:00
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka pritur të martën në takim anëtarët e ansamblit të këngëve dhe valleve “Rexhep Mitrovica”, të cilët javën e kaluar janë kthyer nga festivali ndërkombëtar “Aulona Folk” që është mbajtur në Vlorë ku kanë marrë vendin e parë. Kryetari Kastrati ju ka uruar për suksesin që kanë arritur në Vlorë, ku kanë prezantuar thesarin kulturor të Kosovës. Ai ka shprehur mbështetjen e tij për të gjithë anëtarët e këtij ansambli, i cili viteve të fundit është shndërruar në sinonim të sukseseve për Mitrovicën. “Ajo çka jeni duke bërë ju po na bën krenar të gjithëve”.
Kryetari Kastrati, theksoi se në kuadër të mundësive që ka komuna do të jetë në mbështetje të vazhdueshme për këtë ansambël që vepron në baza vullnetare. “E dimë gjendjen tuaj andaj do të jemi përkrah jush vazhdimisht”.
Në këtë pritje, anëtarët e ansamblit i përshëndeti edhe drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Artan Osmani, i cili tha se vetëm sivjet ky ansambël ka marrë pjesë në tri festivale të ndryshme. “Paraqitja e këtij ansambli nëpër festivale të ndryshme është duke mundësuar prezantimin e vlerave popullore të popullit tonë nëpër vende të ndryshme të botës. Si i tillë ky ansambël po shndërrohet në një ambasador të kulturës”.
Në anën tjetër, koreografi i këtij ansambli, Haki Shkreli, ka falënderuar kryetarin dhe zyrtarët komunalë për përkrahjen e vazhdueshme që janë duke dhënë për aktivitetet e tyre. “Mbështetja që kemi nga komuna është më e madhe se përpara. Megjithatë nevojat ende janë të mëdha, pikë së pari për valltarët, të cilët veprojnë vullnetarisht”.