Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

U miratua në parim statuti i ri i komunës

2011/04/28 - 12:00

Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës, kanë votuar në seancën e së enjtes pro statutit të ri të komunës, duke i dhënë fund një debati të gjatë mes opozitës dhe pozitës lidhur me numrin e drejtorive komunale. Opozita muaj të tërë ka atakuar pushtetin për shkelje të statutit pas shtimit të drejtorive, ndërsa pozita është mbrojtur duke ju referuar Ligjit për Pushtetin Lokal që i lejon kryetarit të komunës shtimin e drejtorive.  Kryetari Avni Kastrati para këshilltarëve ka njoftuar se lënda që mbron ligjshmërinë e vendimit të tij për shtimin e numrit të drejtorive tashmë është në gjykatë dhe pritet vendimi rreth kësaj çështjeje, ndërkohë që ka arsyetuar formimin e drejtorive të reja si ajo për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale dhe ajo për Kadastër  e Pronë. Edhe për drejtoritë e formuara më parë, si ajo për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Drejtorinë e Prokurimit, kryetari ka thënë se janë shtuar bazuar në vetë kërkesat e këshilltarëve për më shumë kontroll dhe transparencë ndaj projekteve dhe investimeve që bën komuna, përkatësisht nevojës për mbrojtje të ambientit. Pas një debati të gjatë mes këshilltarëve, asambleja komunale me shumicë të votave ka votuar parim pro statutit të Komunës së Mitrovicës, i cili duhet të jetë në harmoni me Ligjin për Pushtetin Lokal dhe i cili do të procedohet në diskutim publik para miratimit të plotë.