Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Përkujtohen të pagjeturit në Mitrovicë

2011/04/26 - 12:00

Një delegacion nga Bosnja e Hercegovina, i përbërë nga nënat e të pagjeturve nga lufta e fundit atje, ka marrë pjesë në një tubim përkujtimor të organizuar nga “Zëri i prindërve” në Mitrovicë. Kryetari i kësaj organizate për të pagjeturit në Mitrovicë, Bajram Çerkini, tha se familjarët e të pagjeturve kanë nevojë për përkrahje nga të gjithë, meqë mbeten një plagë e hapur e shoqërisë sonë. Ndërsa Avni Alidemaj, anëtar i kësaj shoqate, ka folur për aktivitetet e tyre që kanë të bëjnë me zbardhjen e fatit të pagjeturve, mandej për lobimin në lidhje me dënimin e autorëve të krimeve gjatë luftës etj. Ai sqaroi se në Mitrovicë ende numërohen 131 persona të pagjetur, prej 377 sa ishin llogaritur si të zhdukur. Në këtë tubim përkujtimor për të pagjeturit, ku morën pjesë edhe zyrtarë qeveritarë dhe lokalë, ishin ekspozuar edhe fotografi të tyre, në oborrin e “Zërit të prindërve”.