2011/04/13 - 12:00
Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport kanë siguruar shfaqjen e filmave për publikun e kësaj komune për gjithë vitin 2011. Kjo është mundësuar pasi kjo drejtori ka nënshkruar një marrëveshje për shfaqjen e filmave – Mitrovica Kino me kinemanë ABC ( KDSHF "Genci" ). Drejtori i kësaj drejtorie, Artan Osmani, tha se kanë bërë çmos që edhe për publikun e këtushëm të sigurohet funksionimi i kinemasë. “Ne kemi nisur vitin e kaluar që të shfaqim filma në kinema, por nuk kemi pasur një funksionim të rregullt. Tani kemi arritur marrëveshje dhe deri në fund të vitit është siguruar funksionimi i kinemasë rregullisht”.
Ai sqaroi se filmat do të shfaqen një ditë në javë në dy terminë. Tha se në bazë të kërkesave të vetë shikuesve do të fillohet që filmat të shfaqen të shtunave. “Kemi dashur që filmat të shfaqen në ditën dhe kohën që ju konvenon shumicës së publikut”.
Ndërsa Milazim Salihu, nga kinemaja “ABC”, tha se kjo marrëveshje e arritur me Drejtorinë e Kulturës mundëson që filmat më të ri botëror, që shfaqen në kinemanë “ABC” të shfaqen mandej edhe në Mitrovicë. “Besojmë se publiku mitrovicas është i interesuar dhe ka nevojë që një kinema funksionale”.
Ai theksoi se tani për tani kinemaja “ABC” është e vetmja që funksionon në gjithë Kosovën. “Mitrovica pas kësaj marrëveshje bëhet qyteti i dytë me kinema. Presim që edhe Peja mandej të funksionalizoj kinemanë”.
Ndërsa Mirsad Ferati, drejtor i qendrës së kulturës “Rexhep Mitrovica”, tha se nga projektet e mëparshme është vërejtur se në këtë qytet nuk mungon publiku. “Jemi të sigurt se të rinjtë e këtij qyteti janë dashamirës të kinemasë. Jemi dëshmitarë vitin e kaluar për këtë”.
Në këtë kontekst, drejtori për Kulturë, Artan Osmani, sqaroi se çmimi i biletave për shfaqje do të jetë simbolik. “Çmimi për biletë do të jetë vetëm 1 euro, përderisa për nxënësit që vijnë në mënyrë të organizuar vetëm 50 centë”.