Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Komiteti i sigurisë e vlerëson të qetë situatën në Mitrovicë

2011/03/21 - 12:00

Situata e sigurisë gjatë dy javëve të fundit në Mitrovicë ka qenë e qetë, përderisa në veri kanë ndodhur disa incidente që nuk kanë ndikuar në gjendjen e përgjithshme. Kështu u vlerësua të hënën në takimin e Komitetit për Siguri në Komunën e Mitrovicës, ku morën pjesë përfaqësues të strukturave politike dhe atyre të sigurisë. Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se në veri në dy javët e fundit kanë ndodhur disa incidente, por që nuk kanë qenë të natyrës së rëndë dhe nuk ka pasur të lënduar. Ai përmendi protestat e serbëve që kërkojnë ndalimin e patrullimit të njësive të trafikut të Policisë së Kosovës, mandej djegien e dy automjeteve etj.

Në lidhje me këto raste më në detaje ka folur drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, i cili ka cekur se më 8 mars disa banorë serbë kanë bllokuar rrugën magjistrale Mitrovicë-Leposaviq duke kërkuar ndalimin e patrullimit të njësive të trafikut të Policisë së Kosovës. “Këto protesta janë të organizuara nga strukturat paralele që kanë për qëllim mbajtjen e gjendjes katoike në mënyrë që lirshëm të zhvillojnë aktivitetin e tyre kriminal dhe kontrabandën”.  

Poashtu ai ka përmendur edhe shpërndarjen e afisheve kundër EULEX-it dhe KFOR-it në Zubin Potok, mandej djegien e dy veturave në veri, njëra prej të cilave ka qenë me targa KS. Ai njoftoi edhe për përfundimin me sukses të aksionit për eliminimin e qenve endacakë.

Në këtë takim u bisedua edhe për përgatitjet për procesin e regjistrimit të popullsisë. Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, i cili është edhe kryetar i Komisionit Komunal për Regjistrim (KKR), tha se janë përzgjedhur kontrollorët dhe regjistruesit, të cilët kanë nisur trajnimin për procesin e regjistrimit që do të nis me 1 prill.

Ai vuri në pah se në jug gjithçka po shkon mirë, ndërsa kërkoj ndihmë nga strukturat e sigurisë për veri. Tha se për qytetarët serbë është duke u shqyrtuar mundësia që të regjistrimi të bëhet nga ndonjë mekanizëm ndërkombëtar, ndërsa për qytetarët shqiptarë që jetojnë në veri, duke përfshirë pjesën urbane dhe rurale regjistrimi do të kryhet nga KKR.

Në takim u shtrua edhe problemi i transportit për banorët shqiptarë të Kodrës së Minatorëve, pas konfiskimit të autobusit që e ka mbajtur atë vijë nga autoritetet e doganës. Avni Zaiti nga Policia Rajonale, tha se mungesa e transportit ka krijuar telashe të mëdha për atë banorë dhe si pasojë nuk ka funksionuar as shkolla as ambulanca.

Lidhur me këtë çështje, nënkryetari Haziri, ka thënë se deri sa të gjendet një zgjidhje, komuna do të aranzhoj një kompani që të siguroj transportin për këta banorë. Ai tha se transporti për banorët e Kodrës së Minatorëve, ashtu si për ata të fshatrave shqiptare të Lepsoaviqit dhe Zubin Potokut është  siguruar nga Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit.