Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Zëvendesshefi i EULEX-it qëndroi në Mitrovicë

2011/02/10 - 12:00

Kryetari i Komunës, Avni Kastrati bisedoi të enjten në ambientet e Kuvendit të Komunës, me zëvendësshefin e EULEX-it, Andy Spearks. Temë kryesore e bisedës ishte luftimi i krimit të organizuar dhe vendosja e rendit dhe ligjit edhe në veri të vendit. Zëvendës shefi i EULEX-it, Spearks, i tha kryetarit Kastrati se ka ardhur në Mitrovicë për të njoftuar për një fillim të ri të misionit të EULEX-it në veri të Mitrovicës e Kosovës. Pasi tha se në rajon është i pranishëm krimi i organizuar, që fillon në portat 1 e 31 dhe vazhdon deri në brendi të Kosovës, si dhe bëhen veprime të tjera të jashtëligjshme, përfaqësuesit e BE-së do të ua bëjnë të qartë të gjithëve se kjo gjendje më nuk do të tolerohet në asnjë mënyrë.

“Ne do të kemi takime të shumta me pjesëtarët e të gjitha komuniteteve, sidomos me ata që jetojnë në veri, për t’i garantuar se EULEX-i është këtu për të mirën e tyre, për të luftuar në mënyrë të vendosur krimin e organizuar dhe të gjitha dukuritë tjera negative, me qëllim që të binden në perspektivën e tyre evropiane. Natyrisht se ne do të angazhohemi maksimalisht që t’i ndajmë çështjet e krimit nga ato politike”, tha Spearks.

Ai na vazhdim i tha kryetarit Kastrati se EULEX-i do të rris numrin e stafit të policëve, doganierëve etj. dhe se tashmë  është formuar një task-forcë për luftimin e krimit të organizuar në këtë rajon dhe për respektimin e rendit dhe ligjit edhe këtu. Kështu, tha  Spearks, tani e tutje edhe policët e EULEX-it do të bëjnë patrullime në këmbë dhe bashkë me policët e Kosovës, do të përkujdesen për sigurinë e qytetarëve në veri dhe gjetiu.

Duke u shprehur se e kupton shqetësimin e autoriteteve të Kosovës lidhur me funksionimin e pikave doganore në veri, Spearks tha se gjatë ditëve të ardhshme EULEX-i do të jetë i vendosur dhe do të shtoj angazhimin për të mos lejuar më aktivitete kriminale, për të luftuar ashpër kontrabandën me mallra të ndryshme .

Për këtë, tha ai, pjesëtarët e EULEX-it në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e autoriteteve kosovare, do të bëjnë ndalimin dhe kontrollimin e të gjitha automjeteve me mallra, në mënyrë që ato të detyrohen për t’i regjistruar mallrat në pikat ekzistuese dhe për të paguar taksat ligjore.

“Ne jemi në dijeni për perceptimin e qytetarëve se EULEX-i deri tash nuk ka bërë sa duhet në këtë drejtim, andaj edhe jemi të vendosur që tani e tutje të bëjmë shumë më tepër për parandalimin e të gjitha veprimeve kriminale dhe për këtë e kemi qind për qind mbështetjen e BE-së”, tha Spearks.

Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, pasi e falënderoi zëvendësshefin e EULEX-it Andy Spearks për vizitën dhe masat e e reja që po i ndërmerr EULEX-i, tha se qytetarët e Mitrovicës, do ta mirëpresin këtë organizim dhe angazhim të shtuar, pasi që ata deri tash janë ballafaquar me probleme e sfida të shumta e të ndryshme, siç ishin rastet e incidenteve të fundit të shkaktuara nga ekstremistët serbë, të cilat i kanë përballuar falë vetëdijes së tyre të lartë, urtësisë dhe shpresës se një ditë do tu vije fundi të gjitha të këqijave.

Kastrati edhe me këtë rast i tha Spearks se është momenti i fundit që të gjitha institucionet vendore e ndërkombëtare të angazhohen së bashku  për kthimin në pronat e tyre në veri të të zhvendosurve me dhunë, të cilat tani jetojnë në kushte të vështira, si dhe kthehen në objektet e tyre organet e drejtësisë, në mënyrë që të funksionalizohen plotësisht e t’i zgjedhin lëndët e grumbulluara dhe të ofrojnë shërbime për qytetarë.