Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Kompjuterë për parashkollorët turq

2011/01/18 - 12:00

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, priti të martën në takim nënkryetarin për komunitete në Komunën e Prizrenit, Orhan Lopar, i cili shoqërohej nga kryetari i Degës së KDTP-së Prizren, Xhemil Luma, të cilët kishin sjellur me vete disa kompjuterë për fëmijët parashkollorë të komunitetit turk në Mitrovicë. Kryetari Kastrati, ka shoqëruar mysafirët nga Prizreni në ceremoninë e dhurimit të 12 kompjuterëve për fëmijët parashkollorë në shkollën fillore “Andon Zako Çajupi”, ku u pritën nga drejtoresha e kësaj shkolle, Melihate Meha.  Ajo falënderoi mysafirët për ndihmën për këta fëmijë, me çka do të krijohen kushte shumë më të mira për punë.

Ndërsa kryetari i Komunës, Avni Kastrati, pasi ka falënderuar zyrtarët nga Prizreni për këtë donacion për fëmijët parashkollorë në këtë shkollë, tha se strukturat komunale do të mbështesin pjesëtarët e të gjitha komuniteteve në fushën e arsimit. Ai poashtu u shpreh i gatshëm që të përkrah edhe formimin e një paraleleje me nxënës të komunitetit turk në Mitrovicë.

Në anën tjetër, nënkryetari për komunitete në Komunën e Prizrenit, Orhan Lopar, ka shprehur kënaqësinë që kanë mundur të ndihmojnë sado pak sa i përket përmirësimit të kushteve të punës për këta fëmijë. Ai poashtu ka falënderuar kryetarin Kastrati për mbështetjen e vazhdueshme për avancimin e shkollimit për fëmijët e të gjitha komuniteteve.         

Nënkryetari për komunitete në Mitrovicë, Eroll Zekiria, sqaroi se në Mitrovicë vetëm në këtë shkollë ekziston një paralele me fëmijë parashkollorë të komunitetit turk. Ai tha se me këta fëmijë planifikohet të formohet edhe një paralele prej klasës së parë. “Aktualisht fëmijët e komunitetit turk, me përjashtim të kësaj klase parashkollore, ndjekin mësimet në gjuhën shqipe”.