2010/12/28 - 12:00
Futbollisti i Trepçës, Elvis Osmani, është shpallur sportisti më i mirë i vitit në Mitrovicë, në një ceremoni të organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e kësaj komune. Kryetari i komunës Avni Kastrati duke përgëzuar sportistët për rezultatet, e cilësoi vitin 2010 si vit të suksesshëm për sportin mitrovicas. " Rezultatet tuaja dhe prezentimi dinjtoz është fryt i punës së trejnerëve, mbështetjes së vazhdueshme nga donatorët dhe drejtoria e sportit, por mbi të gjitha i angazhimit, djersës dhe punës së palodhshme të sportistëve. Ne synojmë që Mitrovicës t’i kthejm namin e qytetit të kulturës dhe sportit, andaj mbështetja jonë do të jetë e vazhdueshme", tha kryetari Kastrati.
Ndërsa sportisti i vitit, Elvis Osmani e quajti nder dhe privilegj këtë titull. " Titull sportist i vitit dhe kampion i vendit vjen pas punës së madhe ekipore dhe kurorëzimit me titullin kampion dhe Superkupën e Kosovës. Ai ka peshën edhe më të madhe pasi bëhet në një konkurrencë të madhe, gjë që na motivon dhe obligon edhe për punë më të madhe në ardhmen", tha Osmani. Në këtë ceremoni kampioni aktual në futboll KF Trepça është shpallur skuadra më e mirë në qytetin e Mitrovicës në mesin e klubeve të të gjitha sporteve.
Titulli i punëtorit sportiv i vitit i takoi kryetarit të klubit Trepça, Nexhmedin Haxhiu, ndërsa për kontribut të veçantë në sport u shpërblye mjeku i skuadrave të basketbollit dhe hendbollit, Adem Saliaj. Bazuar në rezultatet e arritura dhe punën e palodhshme me klubin e xhudosë Trepça, trejneri i vitit u shpall ish-kampioni në xhudo Remzi Begu. Gjyqëtari më i mirë i vitit u shpall gjyqtari i futbollit, Besnik Sejdiu, ndërsa për mbështetje sportit mitrovicas u shpërblye grupi i tifozëve "Torcida". Dhjetë shpresave të sportit mitrovicas ju prin atletja me perspektivë në disa disiplina, Dea Mustafa, ndërsa ajo pasohet nga basketbollisti Arian Tahiri, xhudisti Blenard Negu, hendbollistja Marigona Smajli, futbollisti Liridon Jonuzi, çiklistja Florentina Maliqi, shahisti Nderim Saraçi, karatisti Egzon Zekiqi, notarja Aurora Saraçi dhe boksieri Fisnik Muharremi.
E veçantë e përzgjedhjes së sivjeme të sportistëve më të mirë është radhitja në pozitën e tretë e basketbollistit Jugosllav Dashiq nga KB Bambi , ndërsa në dhjetshën e më të mirëve gjetën vend edhe xhudistja Lirona Hoxha, hendbollisti Izedin Nuhi, basketbollistja Arta Mustafa, atleti Fatmir Mehmeti, basketbollisti Imer Tahiri, futbollisti Ibrahim Peci, skiatorja Rita Idrizi dhe boksieri Burhan Zeneli. Titulli i gazetarit sportiv të vitit i takoi Musa Begut nga "Gazeta sport". Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Artan Osmani, ka premtuar rritjen e mbështetjes për sportistët. Ai theksoi se për këtë qëllim do të rritet edhe buxheti për këtë drejtori.