2010/12/17 - 12:00
Me qëllim të parandalimit të rrezikut nga ngricat nëpër rrugë, pas ftohjes së motit dhe reshjeve të borës, Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës, ua përkujton të gjithë pronarëve të lokaleve, mandej pronarëve të shtëpive dhe banesave përgjegjësitë e tyre në këtë drejtim. Poashtu ceken edhe masat që parashihen me ligj në rast të mosmirëmbajtjes së rrugëve para lokaleve, përkatësisht shtëpive të tyre. Në njoftimin e lëshuar nga Drejtoria e Inspekcionit, të gjithë pronarët e subjekteve afariste, pronarët e shtëpive dhe banesave, të cilët veprimtarinë e tyre e zhvillojnë dhe banojnë brenda territorit të Komunës së Mitrovicës, u përkujtohet se në bazë të dispozitave të nenit 111, 112 dhe dispozitave tjera të rregullores nr. 01./2003 “Mbi rregullimin dhe mbajtjen e pastërtisë së qytetit dhe shërbimeve komunale”, janë të obliguar që të pastrojnë borën para lokaleve dhe banesave të tyre.
Sipas kësaj rregulloreje, pronarët e subjekteve afariste, para lokalit të vet afarist, kanë obligim ta pastrojnë borën dhe akullin, mandej pronarët e shtëpive dhe banesave, secili para shtëpisë apo banesës së vet, ka obligim të pastroj poashtu borën dhe akullin. “Borën dhe akullin e pastruar duhet ta grumbullojnë në skaj të rrugës, në mënyrë që ndërmarrja e caktuar të bënë pastrimin dhe bartjen e borës së grumbulluar”, thotë drejtori i Inspekcionit, Lulzim Zeqiri.
Ai thekson se pas marrjes së këtij njoftimi, inspektorët kompetent, do të bëjnë kontrollimin inspektues dhe në rast se konstatohet se nuk është përfill ky njoftim dhe dispozitat e rregullores së cekur, ndaj pronarit apo personit përgjegjës do të ndërmerren masat e parapara ligjore. “Ndaj çdo personi i cili bënë shkelje të dispozitave të nenit 111 dhe 112, lidhur me nenin 126. alinea 1. pika 10. dhe neni 127 alinea 1. pika 14. do të ngritët procedura pranë gjykatës kompetente. Gjobat për shkelje të këtyre dispozitave, janë të parapara deri në 1.000. euro”.
Drejtori Zeqiri lut pronarët e lokaleve, shtëpive dhe banesave, që të respektojnë dispozitat ligjore, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, e posaçërisht në interes të fëmijëve. “Mos lejoni që ndonjë fëmijë apo i moshuar, për shkak të mos veprimit të tuaj të lëndohet, të thyej ndonjë gjymtyrë apo të përfundoj me fatalitet”, bën thirrje ai.