Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Nis matja e nivelit të plumbit në gjak për fëmijët e komunitetit RAE

2010/12/01 - 12:00

Pas rindërtimit të shumë objekteve të banimit dhe kthimit të shumë familje për të jetuar në Lagjen e Romëve në jug të Mitrovicës, kanë nisur edhe projekte të tjera me qëllim që kthimi të jetë i qëndrueshëm. Në këtë kuadër të mërkurën me mbështetje të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, USAID-it dhe Komunës së Mitrovicës ka filluar të bëhen analizat e nivelit të plumbit në gjak për 78 fëmijë romë, ashkalinjë dhe egjiptian. Gjithashtu është përuruar edhe një fabrikë për prodhimin e thasëve të letrës, ku do të punësohen 12 pjesëtarë të komunitetit RAE dhe 3 shqiptarë.

Në shenjë simbolike për nisjen e këtij projekti analizën për nivelin e plumbit në gjak e ka bërë edhe kryetari i komunës, Avni Kastrati. Pas vetëm disa minutash rezultati i analizës ka treguar për nivel normal të plumbit në gjak. Me këtë rast, ai ka premtuar mbështetje për të kthyerit në këtë lagje, të cilët deri vonë kanë jetuar në kampin “Osterode” dhe “Çesme Luge”, që kanë qenë të kontaminuara me plumb.

Ai shprehur respektin që bashkë me partnerët nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, mandej me ata të USAID-it, Mercy Corpsit etj, kanë pasur mundësi të prezantojnë këto projekte shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me kthimin e pjesëtarëve të komunitetit RAE në Lagjen e Romëve në Mitrovicë. “Ne shprehim mirënjohjen më të thellë për ndihmën që janë duke na dhënë partnerët tanë për krijimin e kushteve që kthimi në këtë lagje të jetë i qëndrueshëm”.

Ai shprehu zotimin se si komunë do të vazhdojnë ashtu sikur deri me tani të punojnë dhe të investojmë që pjesëtarët e komunitetit RAE të ndjehen mirë në shtëpitë e tyre të reja. “Rindërtimi i kësaj lagjeje dhe kthimi i banorëve aty, paraqet storien më të suksesshme të kthimit të të zhvendosurve në gjithë Kosovën”.

Ndërsa Kjartan Björnsson, shef operativ i Zyrës Ndërlidhëse të KE-së në Kosovë, tha se ngjarjet e sotme kanë të bëjnë me ofrimin e mundësive reale për fëmijët që të kenë jetë më të mirë pas viteve të jetesës në kampet e kontaminuara me plumb. “Ekspozimi ndaj plumbit dhe metaleve të rënda mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për shëndetin e fëmijëve. Veç kësaj, lansimi i fabrikës së re është pjesë e përkushtimit të BE-së për zhvendosje dhe riintegrim të qëndrueshëm të pjesëtarëve të komunitetit RAE”.