Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Shoqatat e luftës së UÇK-së bëhen me zyre të reja

2010/11/28 - 12:00

Me rastin e 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit, janë përuruar zyret e reja të shoqatave të luftë së UÇK-së në Mitrovicë.  Këto zyra janë siguruar nga komuna e Mitrovicës në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica”. Poashtu komuna ka siguruar edhe pajisje të nevojshme për punë. Pasi kanë vizituar hapësirat e reja të këtyre shoqatave, kryetari i komunës, Avni Kastrati, i cili shoqërohej edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka shpreh kënaqësinë për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm  që mundëson kushte shumë të mira për punë. Ai ka theksuar se prej përfundimit të luftës këto shoqata kanë vepruar në hapësira tepër të papërshtatshme dhe pa kurrfarë kushtesh.

Kryetari Kastrati, tha se është kënaqësi të shohësh sot këto zyra të reja, mandej pajisjet që poashtu janë siguruar nga komuna për shoqatat e luftës dhe për këtë kategori të nderuar të shoqërisë. “Ne i kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim shoqatat e luftës me të gjitha mundësitë që kemi në dispozicion si komunë. Ata janë nderi i këtij vendi, prandaj meritojnë përkrahje dhe respekt”.

Ai theksoi se gjendja në të cilën kanë vepruar ata deri me tani nuk i ka bërë nder askujt. “Mbështetja për këto shoqata dhe sigurimi i një hapësire komode për ta, ka qenë edhe një nga premtimet e mia dhe ndjehem shumë i kënaqur për këtë”, tha ai, duke sqaruar se komuna ka ndarë rreth 20 mijë euro për rregullimin e tyre.

Shumë të lumtur për këto zyre të reja shprehën përfaqësuesit e shoqatave të luftës. Rafet Ibishi, kryetar i shoqatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, tha se që dhjetë vjet kanë vepruar në një objekt të vjetër dhe pa kurrfarë kushtesh për punë. “Me të vërtetë kanë qenë kushte të rënda dhe aspak dinjitoze. Na kanë munguar edhe pajisjet, ndërsa tash përveq zyreve të reja që ka siguruar komuna, që gjithashtu i ka meremetuar, na ka mbështetur edhe me  pajisje për punë, si me kompjuterë të rinj etj”.         

Ibishi falënderoi kryetarin Kastrati dhe gjithë stafin e tij për mbështetjen për çdo kërkesë që kanë pasur ata si shoqatë. Tha se komuna është duke u përkujdesur për ta në nivel të kënaqshëm.  

Njëjtë shprehet edhe Alie Tmava, kryetare e shoqatës së familjeve të dëshmorëve të UÇK-së. Tha se zyret në të cilat kanë vepruar janë thyer me dhjetëra herë, ku u janë vjedhur kompjuterë, nxehëse etj. “Kemi qenë në situatë të rëndë. Tash gjendja ka ndryshuar rrënjësisht për të mirë dhe për këtë  falënderojmë kryetarin Kastrati”.