2010/11/27 - 12:00
Organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Mitrovicës, të shtunën në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica” është mbajtur një manifestim kulturo-artistik për nder të 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit. Përveç drejtuesve komunalë, përfaqësuesve të shoqatave të luftës dhe qytetarëve mitrovicas, që i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, mandej zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza etj. Fjalën e rastit e mbajti kryetari i komunës, Avni Kastrati, i cili tha se kjo festë është një moment i veçantë në historinë e popullit shqiptar. “Kjo ngjarje fillimisht i dha emër shtetit modern shqiptar dhe së dyti shërbeu si burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët që kishin mbetur jashtë atyre kufijve”.
Kryetari Kastrati theksoi se flamuri i pavarësisë që u ngrit me 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë, u prini brez pas brezi përpjekjeve dhe sakrificave të popullit shqiptar të Kosovës në rrugën drejt lirisë, e cila u ishte nëpërkëmbur. “Në atë ngjarje, e cila shërbeu si katalizator edhe për 17 Shkurtin e vitit 2008 dhe Pavarësinë e Kosovës, ishte pjesëmarrës edhe Isë Boletini, një nga burrat e shquar të qytetit tonë dhe të kombit shqiptar, duke na bërë krenar ne dhe gjithë Kosovën”.
Duke ju uruar Festën e 28 Nëntorit, Ditëlindjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari si dhe paraqitjen e parë publike të UÇK-së, ai shprehu respektin më të thellë për familjet e dëshmorëve, veteranët, invalidët e Luftës së UÇK-së dhe gjithë gjeneratat që nuk kursyen asgjë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në këtë manifestim një program artistik u dha nga nxënësit e shkollës së muzikës “Tefta Tashko” dhe nga ansambli i këngëve dhe valleve të qytetit.