2010/11/09 - 12:00
Në një ceremoni rasti të organizuar të mërkurën në sallën e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, i është dorëzuar titulli “Qytetar nder”, ish-pjesëtarit të UÇK-së, Bekim Haxhiu, i njohur si komandant Kamishi. Ky titull komandant Kamishit nga fshati Tërnavc i Skenderajt, i është ndarë për angazhimin e tij në mbrojtje të popullatës së rajonit të Mitrovicës gjatë kohës së luftës si dhe për kontributin në zhvillimin dhe avancimin e sportit në Mitrovicë. Në fjalën e tij të rastit të në këtë ceremoni, kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se Haxhiu, është shquar me angazhimin e tij të pazakonshëm për mbrojtjen e popullatës civile gjatë kohës së luftës. “Ai si një ndër luftëtarët e dalluar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka bërë të pamundurën që t’u dal në ndihmë edhe shumë qytetarëve tanë që ishin përndjekur nga shtëpitë e tyre”.
Kryetari Kastrati, theksoi se lidhjet e Kamishit me qytetarët mitrovicas kanë vazhduar edhe pas luftës. “Kontributi i tij në zhvillimin dhe avancimin e sportit në komunën tonë, kanë bërë që ai të fitoj respektin e të gjithëve. Pikërisht për këtë simpatizantët e klubeve tona sportive kanë shfaqur respektin e tyre për z.Haxhiun”.
Në këtë kontekst, ai tha se ata kanë marrë nismën që ky personalitet i lidhur me Mitrovicën të nderohet dhe të respektohet, ndërsa drejtuesit komunalë dhe anëtarët e KK-së e kanë përkrahur. “Të nderosh ata që të nderojnë është njerëzi. Të respektosh ata që të respektojnë është qytetari dhe vlerë njerëzorë. Ne ndjehemi të lumtur që kemi mundësi sot që t’u japim emër prej institucioneve të Republikës së Kosovës mirënjohjeve për njerëzit që kanë bërë shumë për vendin e tyre”.
Për jetën dhe veprën e komandant Kamishit, ka folur drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Artan Osmani. Ndërsa pas tij, vetë laureati i këtij titulli, ka falënderuar drejtuesit e komunës së Mitrovicës dhe të gjithë qytetarët mitrovicas për këtë nder.
Komandant Kamishi, tha se tërë jetën është angazhuar në të mirë të vendit dhe popullit të tij, ndërsa nderi i bërë nga Mitrovica e ka bërë borxhli ndaj qytetarëve të këtij qyteti të bukur.