2010/10/19 - 12:00
Fevizi Beqiri, një prej banorëve të Lagjes së Boshnjakëve që ka nënshkruar një letër të cilën ia kanë drejtuar komunës së Mitrovicës dhe institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës, thotë se kjo qasje e administratës së UNMIK-ut është e patolerueshme. Sipas tij, veprimet e drejtuesve të tij në veri kanë sjellur një situatë të rëndë në të gjitha aspektet. Ai tregon se pikërisht për shkak të kësaj politike të njëanshme, përfaqësuesit e lagjeve shqiptare në veri kanë vendosur që të ndërprenë komunikimin me ta. “Njoftojmë institucionet lokale dhe qendrore që në pajtim me skadimin e mandatit te UNMIK- ut, ne banorët e lagjeve te veriut shqiptar dhe të tjerë përpos atyre serb, ndërpremë bashkëpunimin me këtë organizatë jo legjitime dhe të njëanshme”. Ai sqaron se ata kanë kërkuar gjithashtu rindërtimin e të gjitha shtëpive të shkatërruara dhe të djegura gjatë luftës se fundit dhe kthimin e të gjithë banorëve në pronat dhe banesat e tyre të uzurpuara nga kriminelët serb. “Kjo e drejt është e garantuar në të gjitha konventat ndërkombëtare”. Në letrën drejtuar institucioneve lokale dhe qendrore, kërkohet kompensimi për pagesat e qirave të të gjithë banorëve të cilët janë dëbuar me dhune dhe terror nga pronat e tyre dhe që deri tani nuk kanë mundur të kthehen në pronat e tyre për shkak të mungesës së lëvizjes se lirë. Beqiri thekson se përgjegjës për garantimin e lëvizjes së lirë dhe kthimin e banorëve në pronat e tyre deri tani ka qenë UNMIK-u.