2010/10/18 - 12:00
Pas shumë vitesh në kinemanë e qendrës së kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë do të nis shfaqja e filmave për publikun e këtushëm. Drejtuesit e qendrës së kulturës, tregojnë se fillimisht filmat do të shfaqen një herë në javë, apo çdo të mërkurë prej orës 19:00. Drejtori i kësaj qendre, Mirsad Ferati, tha se shfaqja e filmave do të nis nga kjo e mërkurë. Sipas tij, ky projekt do të nis me filmin SALT, ku në rolin kryesor luan aktorja e njohur, Anxhelina Zholi.
Ai e vlerëson këtë si një mundësi të mirë për qytetarët mitrovicas, të cilët që shumë vite nuk kanë pasur një kinema të vetme në dispozicion.
Poashtu, ai tregon, se do të aktivizohet edhe banaku ku filmdashësit mund të shërbehen me pije.
Ferati tregon se të gjithë filmat do jenë në shirit 35mm, me double sorundsystem, përderisa madhësia e fotografisë do të jetë 8×12 metra. “Salla ofron kushte të mira, është siguruar rryma dhe ngrohja, ndërsa çmimi i biletave do të jetë simbolik, vetëm 1.5 euro për film”, thotë ai.