2010/10/18 - 12:00
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga nënkryetari Riza Haziri, ka pritur të hënën në takim një delegacion nga Dubai i Emirateve të Bashkuara Arabe, të prirë nga Omar Khateli, drejtor gjeneral i çështjeve fetare në këtë qytet, me të cilët ka biseduar për gjendjen në Mitrovicë. Kryetari Kastrati i ka njohur mysafirët me gjendjen e sigurisë, duke thënë se prej pasluftës në këtë komunë gjendja ka qenë specifike dhe me rrethana të rënduara për shkak të mosfunksionimit të rendit dhe ligjit. Ai ka përmendur mandej strukturat paralele serbe, të cilat tentojnë që vazhdimisht të mbajnë një gjendje të tensionuar.
Poashtu mysafirët nga Dubai, kryetari Kastrati, i ka njoftuar edhe me problemet e banorëve shqiptarë të veriut, që kanë telashe me qarkullim, me strehim etj. Ai ka folur për papunësinë e madhe dhe problemet e mëdha ekonomike dhe sociale.
Gjithashtu kryetari Kastrati ka përmendur edhe Xhaminë e Ibrit, e cila është dëmtuar nga regjimi serb në luftë, ndërsa pas luftës nuk ka mundur të ndërtohet si pasojë e rrethanave në Mitrovicë. “Presioni i banorëve është i vazhdueshëm që të ndërtohet ajo xhami, meqë në të i kanë kryer ritet fetare një komunitet i madh mysliman i veriut”.
Në anën tjetër, mysafirët nga Dubai, kanë përgëzuar drejtuesit e komunës për menaxhimin e mirë të situatës në një qytet me probleme të mëdha. Ata kanë theksuar se kjo është vizita e parë e tyre në Kosovë dhe kanë shfrytëzuar rastin që të njihen edhe me gjendjen në Mitrovicë.