Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Kryeministri Thaçi vizitoi Mitrovicën

2010/10/15 - 12:00

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha të premten gjatë një vizite në Mitrovicë se edhe në këtë komunë do të ketë universitet. Këtë deklaratë kryeministri e bëri në një takim me profesorë dhe studentë të Fakultetit Xehtaro-Metalurgjik, duke theksuar se edukimi mbetet prioriteti kryesor i Qeverisë të cilën ai e kryeson.  “Unë përshëndes vendimin e Komunës së Mitrovicës për ndarjen e hapësirës për objektet e dy fakulteteve të Mitrovicës, Fakultetit Xehtaro-Metalurgjik dhe Fakultetit të Shkencave Teknike të Aplikuara. Megjithatë në Mitrovicë  s’do të ketë vetëm dy fakultete, por do të ketë universitet”. Në këtë takim, ai ka folur edhe për hapat që ka bërë Qeveria e Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik. Ka përmendur rreth 400 milionë euro që janë investuar në vitin 2009 në infrastrukturë, mandej rritjen e vazhdueshme ekonomike. Si shumë të rëndësishme e ka vlerësuar rritjen ekonomike në sferën private. Kryeministri Thaçi, i cili shoqërohej edhe nga ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi dhe i Arsimit, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Mitrovicë ka vizituar edhe fabrikën “Tehno-Burimi”, ku janë investuar më tepër se 5 milionë së bashku nga kompania “Burimi” në Mitrovicë dhe ajo “Tehno Beton” nga Vrazhdini i Kroacisë. Bashkëpronari i kësaj fabrike, Mustafë Fazliu, theksoi se momentalisht prodhojnë shtylla të betonit dhe anësorë për rrugë. “Prodhimet tona janë të një cilësie të lartë. Shtyllat e betonit kanë garancion 100 vjet, ndërsa anësorët e rrugëve 20 vjet”.