2010/10/13 - 12:00
Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, ka pritur të martën në takim ambasadorin italian në Kosovë, Michael Giffoni, njëherit edhe përfaqësues i BE-së për veri, me të cilin bisedoj për gjendjen në Mitrovicë. Nënkryetari Haziri, tha se gjendja e sigurisë mbetet e brishtë, përkundër shtimit të masave të sigurisë. Ai tha se duhet veprime konkrete dhe energjike për vendosjen e rendit dhe ligjit në atë pjesë të vendit.
Në takim u bisedua edhe rastin e shtëpisë së Musa Behramit në Vidimiriq, për të cilën administrata e UNMIK-ut në veri ka kërkuar që të rrënohet në mungesë të lejes së ndërtimit. Ambasadori Giffoni e ka vënë theksin në rëndësinë e legalizimit të pronës në mënyrë që të evitohet çfarëdo problemi.
Në anën tjetër, nënkryetari Haziri, ka thënë se ajo shtëpi është e ndërtuar jashtë zonës urbane dhe kërkesat e UNMIK-ut për rrënimin e saj janë të papranueshme. “Në veri ku ka qenë përgjegjës UNMIK-u për vendosjen e rendit dhe ligjit ende është kaos. Atje veprojnë strukturat paralele serbe. Grupet kriminale kanë operuar lirshëm vazhdimisht. Automjetet qarkullojnë pa targa dhe pa sigurim. Tani UNMIK-u tenton që vëmendjen ta kthej në këtë shtëpi, pronarin e të cilës e kanë ndihmuar disa kompani dhe bashkëfshatarë për ta ndërtuar atë shtëpi”.
Në këtë kontekst, ai tha se ky problem do të zgjidhet kur të filloj procesi i legalizimit. “Në Mitrovicë, sikur edhe në shumë komuna të tjera pas luftës në Kosovë ka probleme me ndërtime ilegale. Në momentin që do të nis procesi i legalizimit do të bëhet zgjidhje edhe për atë shtëpi”, tha ai.