Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Vazhdon rindërtimi i shtëpive shqiptare në lagjen veriore “Kroi i Vitakut”

2010/09/28 - 12:00

Në këtë pjesë të lagjes “Kroi i Vitakut”, janë për rindërtim 66 shtëpi të shkatërruara shqiptare, pronarët e të cilave, bashkë me familje janë të gatshëm të kthehen për të jetuar në to, posa të jenë të gatshme për banim.

Mitrovicë, 28 shtator
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, nënkryetari Rizah Haziri dhe drejtorët në ekzekutivin e komunës, Rasim Veseli e Mehdi Bala, në vazhdën e aktiviteteve për rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve të shkatërruara gjatë luftës nga ekstremistët serbë dhe kthimin e tyre në lagjet veriore të qytetit, kanë pas një takim me përfaqësuesit e lagjes “Kroi i Vitakut”, shtëpitë e të cilëve janë më afër pjesës së lagjes të banuar me serbë, ku deri tash nuk kanë pas qasje për shkak se janë penguar nga ekstremistët serbë. Në takim janë trajtuar kërkesat e tyre dhe prioritetet në rindërtimin e kësaj pjese të lagjes. 
Nazmi Ismajli, duke folur në emër të përfaqësuesve të pranishëm në takim, pasi që i ka falënderuar drejtuesit e komunës për përpjekjet dhe përkushtimin e tyre për t’i rindërtuar shtëpitë  shqiptare të shkatërruara në lagjet veriore, në ç’drejtim po arrihen suksese të përditshme, ka thënë se tash ka ardhur  radha që të fillohet me rindërtimin e shtëpive të familjeve që kanë jetuar në këtë pjesë të lagjes.
Ai fillimisht i ka njoftuar drejtuesit e komunës me gjendjen e rëndë në të cilën gjenden këto familje, duke thënë se të gjitha janë të zhvendosur me dhunë nga ekstremistët serbë në pjesën jugore të qytetit e gjetiu dhe se një pjesë e tyre banojnë në hapësira të ndryshme të papërshtatshme, siç janë bodrumet, garazhet etj, kurse një pjesë tjetër paguajnë qira të lartë, ndërsa që shumica prej tyre nuk e kanë asnjë anëtar të familjes të punësuar.
Ismajli bëri të ditur se në këtë pjesë të lagjes “Kroi i Vitakut”, janë për rindërtim 66 shtëpi të shkatërruara shqiptare, pronarët e të cilave, bashkë me familje janë të gatshëm të kthehen për të jetuar në to, posa të jenë të gatshme për banim.
Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Rasim Veseli, ju tha pronarëve që po merrnin pjesë në takim, se komuna, me mbështetjen e madhe të Qeverisë së Kosovës, e cila po e bartë barrën kryesore financiare për rindërtimin e shtëpive në lagjet veriore, do t’i ndërtoj të gjitha ato shtëpi që janë shkatërruar dhe në të cilat pronarët kanë shpreh gatishmëri që me familjet e tyre të kthehen për të jetuar.
Ai tha se në rastin konkret, disa pronarë të shtëpive të shkatërruara në të cilat kanë jetuar para lufte, nuk e kanë në rregull dokumentacionin mbi pronësinë, andaj kërkoj nga ata që sa më parë ta rregullojnë atë në mënyrë që të hyjnë në listat për rindërtim.
Veseli tha se në këtë fazë, mjetet e siguruara garantojnë për fillimin e rindërtimi të menjëhershëm të 11 shtëpive, kurse të tjerat besohet se do të fillojnë në pranverë, nëse çdo gjë shkon në rregull, meqë druhet se mund të paraqitet ndonjë problem nga ekstremistët serbë, pasi që shtëpitë janë në pozita strategjike.
Sidoqoftë, tha ai, nuk ka mund të bëhet fjalë për ndërprerje të procesit të rindërtimit dhe kthimit të shqiptarëve në pronat e tyre, në të gjitha lagjet veriore, ashtu sikur që do të ju mundësohet edhe serbëve dhe të tjerëve që të kthehen në pronat e tyre në pjesën jugore të qytetit.
Lidhur me kërkesën e këtyre banorëve për kompensimin e qirasë nga ana e komunës, për shkak të gjendjes së tyre të vështirë në të cilën jetojnë, kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se ai asnjëherë nuk është ndalur së kërkuari mënyrën për realizimin e kësaj kërkese, shumë realiste dhe të arsyeshme, por që mungesa e mjeteve buxhetore ka bërë që kjo të mos realizohet.
Kastrati ju tha atyre se ka bërë kërkesë në Qeverinë e Kosovës për sigurimin e mjeteve financiare dhe është duke pritur përgjigjen e tyre, për të cilën shpreson të jetë pozitive.