2010/08/18 - 12:00
Gjatë një inspektimi të punëve të kryera në këtë kanalizim, kryetari i komunës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga nënkryetari i komunës, Rizah Haziri, ka thënë se banorët e kësaj lagje kanë vuajtur për shkak të shkuarjes mbi sipërfaqe të ujërave të zeza.
Mitrovicë, 18 gusht
Problemet e banorëve të lagjes më të madhe në qytetin e Mitrovicës, Iliridë, kanë marrë fund, pasi që është ndërtuar me sukses kanalizimi i ujërave të zeza, për çka banorët ishin ankua shumë herë në institucionet e pushtetit.
Gjatë një inspektimi të punëve të kryera në këtë kanalizim, kryetari i komunës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga nënkryetari i komunës, Rizah Haziri, ka thënë se banorët e kësaj lagje kanë vuajtur për shkak të shkuarjes mbi sipërfaqe të ujërave të zeza. Sipas tij organet komunale, për arsye të disa pengesave nga disa pronarë të tokës, kanë qenë të penguara për të realizuar projektin më herët.
Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Rasim Veseli, i njoftoi Kryetarin e Komunës dhe banorët e lagjes se kanalizimi, edhe përkundër vështirësive ka përfunduar dhe tani është në funksion. Sipas tij ky kanalizim ka gjatësinë prej 1.3 km dhe ka kushtuar rreth 180 mijë euro.
Adem Ademi, banor i kësaj lagje ka theksuar se jeta e banorëve këtu ka qenë e tmerrshme, sepse nuk kanë munduar kurrë as dritaret t’i hapim. “Krimbat e kanalizimit na hynin edhe brenda në shtëpi, ndërsa që fëmijët e kanë pasur të pa munduar që të luanin në oborr” ka thënë Ademi.