2010/08/08 - 12:00
Sabit Veseli, ish-veprimtari i çështjes kombëtare, i burgosuri politik dhe një nga themeluesit e UÇK-së, u cilësuar si hero u heshtur i Kosovës, në një akademi përkujtimore që u mbajt të dielën në Mitrovicë, dy ditë pasi që ai humbi jetën tragjikisht në një aksident trafiku. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nën patronatin e të cilit u mbajt akademia përkujtimore, tha se se Sabit Veseli ishte njëri nga bashkëthemeluesit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se me modestinë dhe vendosmërinë e tij diti të edukojë breza të tërë. "Sabit Veseli me guxim dhe trimëri u shqua në demonstratat e vitit 1981 në qytetin e Mitrovicës dhe më gjerë, duke i organizuar dhe duke qenë në ballë të tyre kur kërkesat në Republikën e Kosovës u shpallën natyrisht. Si organizator i këtyre demonstratave Sabiti do të dënohej me 7 vjet e gjysmë. Pas daljes nga burgu Sabiti do të jetë shtyllë e parë e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Ai do të shquhet si organizator, pjesëmarrës dhe realizues i demonstrative të viteve 88, 89 në Prishtinë dhe kudo në Kosovë. Me tërë talentin dhe gatishmërinë e tij, ai tregoi njeriun e vendosur për të çuar përpara Lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës. Me angazhimin për shtimin e mjeteve për të forcuar rezistencën e armatosur kundër Serbisë, Sabit Veseli ishte njëri nga bashkëthemeluesit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", ka thënë Thaçi. Duke përkujtuar se Sabit Veseli ishte njeri i veçantë për nga aftësitë organizative, përkushtimi dhe vendosmëria e lartë, kryeministri Thaçi ka thënë se sot Sabit Veselin e nderon populli dhe shteti i Kosovës, për lirinë e të cilit luftoi gjatë tërë jetës. "Sot Sabit Veselin e nderon shteti i Kosovës e nderon populli i Kosovës”. Një fjalë rasti në këtë akademi përkujtimore për veprimtarin e ndjerë, Sabit Veseli, në emër të Komunës së Mitrovicës, e mbajti nënkryetari Riza Haziri, i cili tha se këto janë momente dhimbjeje dhe pikëllimi si për familjarët, ashtu edhe për të afërmit, farefisin dhe të gjithë ata që e kanë njohur Sabit Veselin, një njeri që gjithë jetën ia kushtoj atdheut e për të cilin është organizuar sot kjo akademi përkujtimore. “Ikja e tij prej nesh na ka prek të gjithëve si qytetarë të Mitrovicës dhe gjithë vendit, duke pasur parasysh sakrificën e tij për lirinë tonë, duke filluar si i burgosur politik, mandej si njëri nga themeluesit dhe ushtarët e ditëve të para të UÇK-së, i cili me ngulm e vazhdoj luftën deri në çlirimin e Kosovës. Kosova për të ishte motivi që e mbushte jetë, liria e saj ishte ideali që i jepte forcë, andaj ai frymonte dhe jetonte me frymëmarrjen e atdheut, të cilin arriti ta shoh të lirë dhe të pavarur, për të cilën ishte i gatshëm të flijohej në çdo kohë”. Për jetën dhe veprën e Sabitit, foli bashkëveprimtari i tij, Shaban Muja, i cili tha se vdekja e tij është përjetuar shumë rënd nga të gjithë ata me të cilët ka punuar dhe luftuar për çështjen e atdheut. Ndërsa në emër të familjes Veseli, të pranishmit i ka falënderuar për pjesëmarrje, Hysni Veseli.