Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Një delegacion i Shkollës Policore nga Nazili i Turqisë vizitoi Mitrovicën

2010/07/13 - 12:00

Nënkryetari i komunës, Rizah Haziri, ka pritur një delegacion të Shkollës Policore të qytetit Nazili nga Turqia, në krye me drejtorin Ahmet Palla, me të cilin ka biseduar për gjendjen dhe zhvillimet aktuale në komunën e Mitrovicës. Nënkryetari Haziri fillimisht i ka falënderuar mysafirët për interesimin e shprehur për të vizituar Mitrovicën dhe për tu njohur me zhvillimet këtu, si dhe ka falënderuar shtetin e Turqisë për ndihmën që vazhdimisht po i jep Kosovës dhe në kuadër të kësaj edhe komunës së Mitrovicës.

 Ai ka thënë se komuna e Mitrovicës ka bashkëpunim të shkëlqyer me disa komuna të Turqisë dhe se gjatë bashkëpunimit të deritashëm, është dëshmuar dhe thelluar miqësia shqiptaro-turke, gjë që tregon edhe fakti se Mitrovica është binjakëzuar me disa komuna turke dhe se mbanë kontakte të rregullta me to, duke këmbyer përvoja të rëndësishme në fusha të ndryshme.

 Pasi që që i ka njoftuar mysafirët me karakteristikat themelore të komunës, nënkryetari Haziri ka thënë se Mitrovica nga një qytet i zhvilluar industrial, pas lufte, për shkak të shkatërrimeve që i kanë bërë forcat ekstremiste serbe, Mitrovica ka ngec në zhvillimin e saj të përgjithshëm dhe aktualisht gjendet në një gjendje të rëndë ekonomiko-sociale.

 Ai ka thënë se Kombinati “Trepça”, që dikur ishte shtyllë e zhvillimit të komunës dhe të Kosovës, por edhe më gjerë, për shkak të problemeve politike, nuk është duke funksionuar në tërësi, me përjashtim të Minierës me Flotacion në Stan Tërg, ku aktualisht prodhohet xehe, e cila fatkeqësisht nuk mund të përpunohet këtu, por e papërpunuar eksportohet, gjë që bënë që edhe përfitimi të jetë më i vogël.

 Mysafirët nga Turqia i thanë nënkryetarit Haziri se do të bisedojnë me strukturat udhëheqëse të komunës së tyre për të parë mundësinë e ndihmës për komunën e Mitrovicës, pasi që ajo është e njohur për prodhimtarinë e suksesshme bujqësore, andaj edhe u zotuan se së shpejti do të fillojë bashkëpunimi ndërmjet dy komunave.