Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Një i vdekur dhe dhjetë të lënduar nga një shpërthim në veri

2010/07/02 - 12:00

Mesut Gjekoviq, pjesëtar i komunitet boshnjak ka vdekur, ndërsa 10 qytetarë të tjerë të komunitetit serb janë plagosur, si pasojë e një shpërthimi që ka ndodhur të premten në mesin e protestuesve serbë, të cilët kishin dalur të kundërshtonin hapjen e një zyreje për regjistrim civil nga Ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës.  Zëdhënësi i policisë, Besim Hoti, tha se rreth orës 08:30min, policia e Kosovës ka regjistruar një tubim spontan të së paku 1000 personave, banorë të veriut të Mitrovicës, të përkatësisë etnike serbe, të tubuar në Lagjen e Boshnjakëve, në shenjë kundërshtimi për hapjen e qendrës së regjistrimit civil. “Në vend ngjarje për monitorim dhe vëzhgim të kësaj proteste, veç njësive policore të Kosovës, janë përgjigjur edhe njësite e formuara policore të komponentës së EULEX-it. Gjatë protestës, organizatorët kanë kërkuar parakalimin e tyre afër zyrës së qendrës së regjistrimit civil, mirëpo një gjë e tillë është refuzuar nga forcat policore të EULEX-it dhe atyre të Kosovës ndërsa protestuesit janë kthyer prapa në lokacionin prej nga ka filluar protesta”. Sipas tij, gjatë protestës, policia nuk është përballur me ndonjë situatë të përdorimit të forcës. Hoti theksoi se  rreth orës 10:00min, një shpërthim është regjistruar brenda turmës së protestuesve, gjatë kohës kur protesta po zhvillohej. “Njëmbëdhjetë  persona, një i përkatësisë etnike boshnjak dhe dhjetë të tjerë të përkatësisë etnike serbe, kanë pësuar lëndime të natyrës ende të papërcaktuar si rezultat i këtij shpërthimi”. Policia beson se mjeti shpërthyes mund të ketë qenë një granatë dore e llojit ende të pakonfirmuar e cila ka shpërthyer nën rrethana ende të panjohura. Rreth orës 13:00min, Policia e Kosovës, ka pranuar konfirmimin nga qendra spitalore në veri të Mitrovicës, për humbjen e jetës së njërit nga të lënduarit, i përkatësisë etnike boshnjake.