2010/05/25 - 12:00
Objekti i shoqatës së sigurimeve të Kosovës dhe ai i shpedicionit në pikën kufitare 31 në Brnjak të Zubin Potokut kanë pësuar dëme, përderisa një punëtore është lënduar si pasojë e një zjarri që ka ndodhur të martën rreth orës 02:00. Zëdhënësi i policisë rajonale, Besim Hoti, tha se në bazë të raporteve të para rezulton se zjarri ka shkaktuar dëme materiale në objektet shoqatës së sigurimeve të Kosovës dhe të shërbimeve të shpedicionit, ndërsa një punonjëse e shoqatës së sigurimeve, një 21 vjeçare, e përkatësisë etnike serbe, ka pësuar lëndime të lehta trupore, djegie në dorën e majtë. Sipas tij, viktima e këtij incidenti, me ndihmën e një automjeti të policisë së EULEX-it, është transportuar deri në shtëpinë e shëndetit në Zubin Potok, për trajtim të lëndimeve të pranuara në këtë rast. “Hetuesit policor dhe teknikët e kriminalistikës nga drejtoria rajonale e Policisë në Mitrovicë, bashkërisht me hetuesit policor të Zubin Potokut dhe me asistimin e zyrtarëve të komponentës policore të EULEX-it, kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa shkaktari i zjarrit mbetet ende i pa përcaktuar”. Hoti tha se një shpërthim, është raportuar të ketë qenë regjistruar gjatë zjarrit, por hetuesit policor besojnë se bëhet fjalë për një bocë me gaz, e cila ishte në barakën e shoqatës së sigurimeve të Kosovës ndërsa kishte shpërthyer pasi ishte kapluar nga zjarri. Policia e Kosovës ka iniciuar dhe është në zhvillim të hetimeve intensive për të zbuluar shkaqet, motivet dhe rrethanat e paraqitura në rastin e regjistruar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.