Kuvendi i Komunës miraton Kornizën Afatmesme Buxhetore për vitet 2025- 2027
2024/06/26 - 2:39
Është mbajtur mbledhja e 32-të e rregullt e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, të cilën e udhëhoqi kryesuesja e Kuvendit Komunal, znj.Vesa Broja. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe kryetari i Komunës, z. Bedri Hamza, asamblistët dhe drejtorët e drejtorive komunale.
Fillimisht kjo mbledhje nisi me një minutë heshtje në nderim dhe kujtim të mitrovicasit, Qëndrim Ferati, djali i zyrtarit të Komunës së Mitrovicës, inspektorit Bedri Ferati, i cili ka humbur jetën para disa ditësh si pasojë e një aksidenti të rëndë.
Më pas kryesuesja znj. Broja, propozoi rendin e ditës për miratim, me ç’ rast këshilltarët komunal me shumicë votash aprovuan rendin e ditës për këtë seancë.
Në këtë mbledhje asamblistët e Kuvendit Komunal, shqyrtuan, miratuan dhe mbështetën materialet e parapara me rendin e propozuar të ditës.
Në vazhdim asamblistët aprovuan me shumicë votash Kornizën Afatmesme Buxhetore 2025-2027; Propozim-vendimin për caktimin e qirasë për shfrytëzuesit e Parkut Industrial dhe Parkut Teknologjik në Mitrovicë; Propozim-vendim për miratim të Nismës për Bashkëpunim Ndërkomunal; Strategjinë për Kulturë 2024-2027.
Ndërkaq, pikat e rendit të ditës Propozim për ndarjen e titullit “Qytetar Nderi” për z. Bernd Baumgarten dhe Raporti i Komisionit Komunal të Aksionarëve të NP “Tregu” për vitin 2023 janë shtyrë për mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal.