Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Përurohet kabineti i robotikës në shkollën teknike “Arkitekt Sinani”

2024/08/29 - 9:24

Në Shkollën e Mesme të Lartë Teknike “Arkitekt Sinani”, sot është bërë përurimi i kabinetit të robotikës, i cili do të jetë në shërbim të nxënësve të kësaj shkolle, falë donacionit të KFOR-it turk.
Në përurimin e këtij kabineti morën pjesë nënkryetari i komunës, z. Arian Tahiri, drejtoresha e drejtorisë së Arsimit, znj.Drita Kadriu, përfaqësues të KFOR-it Turk, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, drejtori i ShMLT, “Arkitekt Sinani” z.Sami Rama, si dhe mësimdhënës.
Në fjalën e tij nënkryetari z.Arian Tahiri, ka falënderuar pjesëtarët turk të KFOR-it për këtë bashkëpunim, duke thënë se ky kabinet do të jetë i mirëseardhur për nxënësit tanë të cilët janë të interesuar për robotikë.
Ky kabinet përmbante kompjuterë, printerë dhe të gjitha mjetet tjera përcjellëse, ku nxënësit e kësaj shkolle do të kenë mundësi që të kuptojnë konceptet e kodimit, të jenë në hap me zhvillimet teknologjike, si dhe të jenë pjesëmarrës në gara të ndryshme ndërkombëtare.