Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Mbahet takimi publik me qytetarë për vitin 2024

2024/12/19 - 11:50

Bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale Nr.03/L-040 dhe Statutin e Komunës, në sallën e Kuvendit Komunal, u mbajt takimi publik me qytetarët për vitin 2024.
Takimi u organizua për të diskutuar arritjet dhe sfidat e vitit 2024 si dhe për të dëgjuar kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve.
Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues të fshatrave dhe lagjeve, përfaqësues të shoqërive civile, mediave dhe qytetarë të tjerë të interesuar.
Takimi u kryesua nga nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, i cili theksoi disa nga arritjet kryesore të qeverisjes lokale gjatë vitit 2024. Ai falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin e tyre dhe theksoi se, falë takimeve të mëparshme dhe dëgjimeve buxhetore, sipas mundësive financiare janë realizuar projekte të propozuara nga qytetarët dhe përfaqësuesit e lagjeve dhe fshatrave.
Nënkryetari Tahiri shtoi se kërkesat e qytetarëve do të vazhdojnë të përfshihen edhe në buxhetin e vitit 2025.
Gjatë takimit, pjesëmarrësit ngritën pyetje dhe shqetësime, duke kërkuar sqarime lidhur me punën e ekzekutivit dhe zhvillimet e vitit 2024.
Nënkryetari Tahiri iu përgjigj çdo pyetjeje dhe komentoi kërkesat e shtruara.
Në përmbyllje, nënkryetari Tahiri theksoi rëndësinë e këtyre takimeve publike, duke u shprehur se ky proces i bashkëbisedimit është i domosdoshëm për të mbajtur ekzekutivin të fokusuar në detyrimet dhe përgjegjësitë e tij, dhe për të realizuar projekte që sigurojnë mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët e Komunës së Mitrovicës.