Republika e Kosoves

Mitrovicë e Jugut

Përurohet objekti i ri i QKMF-së “Dr. Nexhat Çuni” në Mitrovicë

2025/01/06 - 7:50

Me një ceremoni solemne, sot u përurua objekti i ri i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Nexhat Çuni” në Mitrovicë. Ky projekt madhor është realizuar nga Komuna e Mitrovicës në bashkëpunim me Shoqatën Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”.
Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm kryetari i komunës, Bedri Hamza, humanisti Halil Kastrati, nënkryetari Arian Tahiri, kryesuesja e kuvendit Vesa Broja, kryetarë të komunave, drejtorë komunalë, personeli mjekësor, përfaqësues të bashkësive fetare, donatorë dhe shumë figura të tjera të njohura, të cilët shprehën gëzimin e tyre për këtë arritje të rëndësishme.
Kryetari Bedri Hamza theksoj se sot qëndron këtu për të ndarë me ju një histori suksesi, e cila flet për përkushtimin tonë ndaj shëndetit të qytetarëve tanë.
“Qendra e re e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë nuk është vetëm një objekt i thjeshtë. Ajo është simbol i transformimit të kujdesit parësor shëndetësor dhe i përmbushjes së premtimeve që u japim qytetarëve tanë”, është shprehur Hamza.
Ai me tutje ka falënderuar dhe ka shprehur mirënjohjen e mitrovicasve për qytetarin e nderit dhe mikun e Mitrovicës, z. Halil Kastratin dhe shoqatën ”Jetimat e Ballkanit”, që mbështetën realizimin e këtij projekti madhor.
Nga ana tjetër, humanisti Halil Kastrati, në emër të Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, deklaroi: “Ky është një projekt madhështor i shoqatës sonë, me infrastrukturë moderne dhe të veçantë. Bamirës të dashur, Zoti kurrë mos ju humbtë.”
Objekti i ri i QKMF-së, më moderni në rajon, është ndërtuar sipas standardeve më të larta mjekësore dhe inxhinierike. I pajisur me infrastrukturë të avancuar dhe ambiente për trajtime primare e preventivë, QKMF-ja do të ofrojë shërbime shëndetësore të nivelit të lartë, duke garantuar shërbime cilësore për të gjithë pacientët. Kjo qendër do të jetë shembull në kujdesin parësor shëndetësor në rajon.