2010/09/23 - 12:00
Një person 34 vjeçar, i përkatësisë etnike serbe, është arrestuar të mërkurën mbi bazën e dyshimit të bazuar për përfshirjen e tij në vepra penale të falsifikimit të dokumenteve dhe vjedhje të veturës. Zëdhënësi i policisë rajonale, Besim Hoti, tha se arrestimi i të dyshuarit është realizuar pa ndonjë incident nga ana e sektorit të hetimeve të auto krimeve në kuadër të drejtorisë rajonale të Policisë në Mitrovicë, ndërsa një numër dokumentesh të dyshuara të falsifikuara dhe një automjet i dyshuar i vjedhur janë sekuestruar nga hetuesit policor. “I tërë operacioni ka filluar me pranimin e një informate për prezencë të një automjeti të tipit “golf 5” ngjyrë e zezë, e dyshuar e vjedhur, e cila ishte e parkuar pranë një objekti hotelierik, në veri të Mitrovicës. Hetuesit policor kanë bërë vëzhgimin e automjetit të dyshuar ndërsa të njëjtin e kanë ndaluar në rrugën “Knjaz Millosh” para një dyqani “Filtron” në veri të Mitrovicës. Ngasësi i automjetit të dyshuar, në momentin e përballjes me hetuesit policor, ka braktisur automjetin dhe ka hyrë në dyqanin “Filtron” ndërsa është arratisur nga policia. Policia e Kosovës, ka sekuestruar automjetin e dyshuar për ekzaminim ndërsa në automjet janë gjetur një palë targa të regjistrimit “NS” të Republikës së Serbisë”. Zëdhënësi Hoti tha se si rezultat i vazhdimit të veprimeve të mëtejme operative hetimore në këtë rast, hetuesit policor të sektorit të auto krimeve së bashku me zyrtarët policor të stacionit veri në Mitrovicë, kanë realizuar bastisjen e lokalit në rrugën “Knjaz Millosh”, ku besohej se mund të gjendeshin dokumentacione të falsifikuara si pjesë e provave materiale. Operacioni i bastisjes është realizuar me urdhrin për bastisje nga gjykata komunale në Mitrovicë. Sipas tij, gjatë bastisjes, hetuesit policor kanë identifikuar dhe sekuestruar një sasi të dokumentacioneve të ndryshme të cilat besohet të përdoreshin për falsifikim të dokumentacionit për automjetet e vjedhura. Ai njofton se Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar VRD (dokumente te regjistrimit të automjeteve) të Kosovës, bosh (bllanko) të vulosura, librezë të automjetit të Sllovenisë, 3 libreza të automjeteve italiane, autorizime për ngasje të automjeteve, bosh të vulosura, fotokopje të letërnjoftimeve të ndryshme, targa të ndryshme të automjeteve dhe një makinë shkrimi e cila besohet të ishte përdorur për të falsifikuar dokumentet. Hoti tha se ndaj të dyshuarit 34 vjeçar, me vendim të prokurorit publik të prokurorisë komunale është caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë, për zhvillim të hetimeve të mëtejme ndërsa automjeti i sekuestruar “Golf 5”, pa dokumente, është në proces të verifikimit.