2010/06/11 - 12:00
Komiteti për Siguri i Komunës së Mitrovicës, nën drejtimin e Rizah Hazirit, nënkryetar i komunës, ka mbajtur edhe të enjten një mbledhje të jashtëzakonshme, të cilën ia ka kushtuar situatës së krijuar në lagjen veriore të qytetit “Kodra e Minatorëve”, pas incidentit të rëndë të shkaktuar nga ekstremistët serbë, me ç’rast, siç është bërë e ditur, janë sulmuar dhe lënduar me mjete të forta pesë të rinj shqiptarë. Komiteti për Siguri i Komunës së Mitrovicës, nën drejtimin e Rizah Hazirit, nënkryetar i komunës, ka mbajtur edhe të enjten një mbledhje të jashtëzakonshme, të cilën ia ka kushtuar situatës së krijuar në lagjen veriore të qytetit “Kodra e Minatorëve”, pas incidentit të rëndë të shkaktuar nga ekstremistët serbë, me ç’rast, siç është bërë e ditur, janë sulmuar dhe lënduar me mjete të forta pesë të rinj shqiptarë.
Nënkryetari Haziri, pasi që i ka falënderua të gjithë faktorët përgjegjës për siguri, për gatishmërinë e treguar për të mbajtur gjendjen nën kontroll, ka ripërsëritur se gjendja e krijuar atje është shqetësues, për arsye se grupet kriminale serbe enden të lirë në Mitrovicën e veriut.
Ai i ka njoftuar anëtarët e Komitetit, se të rinjtë shqiptarë, që kanë qenë rëndë të lënduar, janë jashtë rrezikut, mirëpo ka kërkuar nga institucionet e sigurisë që të ketë syçeltësi dhe angazhim edhe më të madh, në mënyrë që situata mos të del jashtë kontrollit, për arsye se mllefi i qytetarëve është i madh.
“Derisa serbët në pjesën jugore të qytetit, shëtisin lirshëm dhe pa asnjë problem, ku shumë sish vijnë për shërbime të ndryshme edhe në institucionet tjera, në pjesën veriore ndodhë e kundërta. Nuk guxojmë të lejojmë që grupe të caktuara ekstremistësh të provokojnë situata të rënda e aq më pak që ata t’i detyrojnë shqiptarët që të zhvendosen nga atje, sepse atëherë do të kemi telashe më të mëdha. Prandaj, skenaristëve të ngjarjeve të këtilla, duhet tu bëhet e ditur, se përgjegjësia për eskalimin e situatës do të bie mbi ta”, ka thënë Haziri.
Nënkryetari Haziri po ashtu, ka shpreh pakënaqësinë e tij që serbët e dyshuar për sulm ndaj shqiptarëve, janë liruar nga arresti. Lidhur me këtë përfaqësuesi i policisë rajonale në Mitrovicë, Nexhip Gashi, ka thënë se ata janë liruar me vendimin e gjykatësit hetues, por ndaj tyre janë hapur hetimet.
Komandanti i stacionit jugor të policisë në Mitrovicë, kapiteni Bashkim Spahiu, ka thënë se edhe përkundër këtij incidenti të rëndë, gjendja në pjesën jugore të qytetit ka qenë nën kontroll dhe relativisht e qetë. Ai ka kërkuar angazhimin e të gjithë faktorëve për të dhënë kontributin e tyre në tejkalimin e situatës së krijuar.
Përfaqësuesit e policisë së Kosovës, ata të EULEX-it dhe KFOR-it, kanë njoftuar në mbledhjen e Komitetit për Siguri të komunës, se në lagjen “Kodra e Minatorëve” dhe në lagjet tjera veriore të qytetit, të banuara me shqiptarë, janë dërguar përforcime shtesë, gjë që ka bërë që situata të mos eskaloj dhe të jetë nën kontroll të plotë.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, ka përshëndetur masat që janë ndërmarrë nga organet e sigurisë dhe ka kërkuar që ato të mbahen në këtë nivel, pasi që është e qartë se ka tendenca të organizuara për provokimin dhe përshkallëzimin e gjendjes nga ekstremistët serbë me uniforma të ndryshme.
Në orën 12:00 të ditës së enjte, në “Kodrën e Minatorëve”, do të mbahet një takim i shqiptarëve që banojnë atje, me drejtuesit e komunës dhe përfaqësuesit e përgjegjësve për siguri.