2011/02/17 - 12:00
Komuna e Mitrovicës ka organizuar aktivitete të shumta për shënimin e trevjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës-17 Shkurtin. Aktivitetet për këtë festë kanë nisur tre ditë para 17 Shkurtit, me një turnir në futboll të vogël, mandej me një ekspozitë me fotografi “Miratimi i Deklaratës së Pavarësisë dhe i Simboleve Shtetërore të Republikës së Kosovës” të autorit Adnan Ruhani. Të mërkurën në mbrëmje në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica” është mbajtur programi qendror, ku është shfaqur një program artistik nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Mitrovicës, mandej shkolla e muzikës “Tefta Tashko”, ansambli turk “Birlik” si dhe grupi folklorik nga Vlora. Riza Haziri, nënkryetar i komunës së Mitrovicës, tha se kjo ditë fton të gjithë që të mos harrojnë dhunën shekullore serbe ndaj shqiptarëve. “Është kjo ditë që na rikujton shtëpitë shkolla, vrasjet dhe përndjekjet e shqiptarëve nga trojet e tyre. Kjo ditë na fton që të frymojmë bashkërisht me shqiptarët e pjesës veriore të cilëve akoma ju mungon lëvizja e lirë dhe siguria”, ka thënë Haziri, duke ftuar që të lihen anash inatet politike dhe të gjithë së bashku të ndërtojnë Kosovën për gjeneratat e ardhshme.
Të enjten drejtuesit komunalë të shoqëruar nga pjesëtarët e shoqatave të luftës, kanë bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Shipol, mandej kanë vazhduar vizitat në Prekaz dhe në Boletin. Ndërsa në mesditë kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, në mënyrë simbolike ka prerë tortën e pavarësisë në sheshin “Adem Jashari”, ku edhe është ekspozuar një fotografi gjigande e Komandantit Legjendar “Adem Jashari”.
Festa e Pavarësisë është përmbyllur në mbrëmje me një koncert të madh me këngëtarë që kanë ardhur nga vende të tjera si dhe nga Kosova.