2010/06/17 - 12:00
Në kuadër të aktivitete të UNHCR-së për shënimin e Ditës Botërore të Refugjatëve të enjten në Mitrovicë është hapur një ekspozitë e fëmijëve të personave të zhvendosur brenda Kosovës të përkatësive të ndryshme etnike. Shefi i zyrës së UNHCR-së në Mitrovicë, Giuseppe Di Carlo, tha se këtë vit për nder të Ditës Botërore të Refugjatëve është planifikuar që në gjithë botën të vihet në pah gjendja e vështirë e refugjatëve. “Ekspozita e hapur sot është rrjedhojë e një gare pikturimi në mes të fëmijëve të personave të zhvendosur brenda Kosovës të përkatësive të ndryshme etnike”, tha ai, duke shtuar se tema për të cilën kanë punuar fëmijët ka qenë “Nuk ka vend më të mirë se shtëpia”. Sipas tij, UNHCR dëshiron që kjo ekspozitë të ndez në mendjen e njerëzve dhe të reflektoj në mënyrën se si zhvendosja mbahet në idetë e fëmijëve ashtu si e kanë përjetuar para se të iknin nga vendet e tyre të origjinës.