2011/03/14 - 12:00
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka pritur të martën në takim Bekim Shalën, autorin e emblemës së kësaj komune, që është miratuar në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës. Kryetari Kastrati e ka përgëzuar autorin e emblemës dhe ia ka dorëzuar vendimin e KK-së në bazë të të cilit i takon edhe shpërblimi prej 2 mijë eurosh. Me këtë rast, kryetari ka theksuar rëndësinë e madhe që ka pasur përzgjedhja e një embleme për Komunën e Mitrovicës, meqë prej përfundimit të luftës ka funksionuar pa një shenjë identifikimi. “Prej përfundimit të luftës Komuna e Mitrovicës nuk ka pasur emblemë, përkundër përpjekjeve.
Kjo shkaktonte probleme edhe në komunikimin zyrtar të këtij institucioni”. Poashtu ai vlerësoj edhe mbështetjen për zgjidhjen e këtij problemi nga anëtarët e partive opozitare. “Emblema ishte shndërruar në një problem që dëmtonte cilësinë e punës së institucionit dhe ishte diçka që nuk duhej të politizohej. Në këtë kontekst opozita është treguar e përgjegjshme dhe e ka dhënë kontributin e vet për zgjidhjen e këtij problemi”.
Në anën tjetër, autori i emblemës, Bekim Shala, shprehu kënaqësinë e tij që propozimi i tij është përzgjedhur për emblemë të Komunës së Mitrovicës. Ai ia dorëzoj kryetarit emblemën edhe në formë elektronike dhe sqaroi se ia ka bërë ndryshimet e kërkuara nga anëtarët e KK-së që në emblemë të figurojnë katër dhe jo tre vija të kaltra që simbolizojnë lumenjtë e Mitrovicës.