2010/06/06 - 12:00
Të nderuara familje të dëshmorëve
Të nderuar ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Të nderuar të pranishëm
Ndjehem i nderuar që kam rastin t’u drejtohem sot në këtë tubim përkujtimor për shënimin e 11-vjetorit të Ditës së Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në komunën tonë, ndaj të cilëve përkulemi me respekt. Kanë kaluar 11 vite që ne frymojmë të lirë. Biem dhe zgjohemi pa frikë në shtëpitë tona dhe në atdheun tonë që quhet Kosovë. Dhe çdo ditë përjetojmë jetën e dinjitetshme që nuk e kishim me shekuj.
Përditë ndjejmë rëndësinë e sakrificës dhe luftës heroike të bijve më të devotshëm të kësaj toke, të cilët me gjakun e tyre i dhanë jetë lirisë. Ndjehemi të fortë dhe të pathyeshëm nga nami dhe vepra e tyre që na frymëzon, përkundër sfidave me të cilat ballafaqohemi në forcimin e shtetit tonë të pavarur.
Përditë shohim fëmijët e dëshmorëve, të cilët rriten bashkë me lirinë, duke i dhënë kuptim sakrificës. Gjithçka që bëjmë është pak, për këtë pjesë të shoqërisë që ka dhënë shumë, për këtë vlerë të shenjtë dhe të paprekshme.
Ne u jemi mirënjohës gjeneratave të tëra që ruajtën frymën e kombit tonë. U jemi mirënjohës dëshmorëve, të cilët na mundësuan që ne të jetojmë dhe të festojmë të lirë, por na mbetet obligim që bashkërisht të punojmë për forcimin e mëtejmë të këtij shteti, ashtu siç e kanë dashur ata që kanë dhënë jetën për të.
Lavdi dëshmorëve të kombit